Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Thirrja e dyshimtë për marshim drejt veriut, Policia – qytetarëve: Mos bini pre

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen pozitivisht thirrjeve për marshim në veri të vendit.

Pasi në rrjetet sociale po qarkullon një thirrje për protestë masive dhe për marshim drejt veriut, Policia i ka ftuar qytetarët për qetësi dhe “t’i lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës ta trajtojnë situatën me profesionalizëm”.

“Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Policisë.

Lexojeni reagimin e plotë të Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë

Prishtinë, më 01 qershor 2023

Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.

Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.