Mëngjesin e djeshëm vendi është tronditur nga një ngjarje horror, kur dy të moshuar që jetonin të vetëm janë gjendur të masakruar në banesën e tyre.
Alarmi fillimisht është dhënë nga një fqinje e dy viktimave, ndërkohë gruan e ka telefonuar nga Greqia motra e viktimës, e cila i është ankuar se nuk po i përgjigjej në telefon. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes sapo ka marrë informacionin dhe ka konstatuar se shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia ishin të pajetë dhe me shenja të dukshme dhune. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, duke parë që nuk ka pasur hyrje me dhunë në banesë, policia ka pretenduar se mund të ketë ndodhur edhe sherr mes të moshuarve, edhe pse të dy ishin në moshë mbi 85- vjeçarë.
Po ashtu, nga kontrolli që ka kryer policia ka parë që Kosta kishte një shumë parash në xhep, nga ato që pretendohet që kishte marrë në Greqi, meqë ishte i pensionuar në shtetin grek. Por pas hetimeve intensive dhe pas marrjes në pyetje të banorëve të zonës, policia ka ndërruar mendje dhe ka nisur shoqërimet e para. Bëhet me dije se janë tre të shoqëruar, por policia nuk ka dhënë asnjë detaj mbi këta persona, ndërsa bëhet me dije se hetimet vijojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
HETIMET DHE SHOQËRIMET
Policia e Gjirokastrës ka shoqëruar tre persona në lidhje me ngjarjen e djeshme kriminale ku janë gjetur te pajete çifti i të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia në fshatin Bodrishtë. Bëhet fjalë për dy banorë të këtij fshati dhe një bari. Shoqërimi i tyre është bërë në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin brutal. Policia e Gjirokastrës ndërkohë po hulumton për zbulimin e vrasësit.
Trupat e pajetë të çiftit të të moshuarve, Kosta dhe Kleoniqi Ilia u gjetën nga një fqinje e tyre, pas një telefonate nga mbesa e 84- vjeçarit nga Athina, e cila kërkonte të dinte mbi fatin e tyre pasi nuk po arrinte të kontaktonte dot me ta. Fqinja shkoi në banesën e tyre dhe gjeti 84-vjeçarin të shtrirë në pragun e shtëpisë pranë tryezës me një shenjë goditje në pjesën anësore të kokës. Ndërsa 88-vjeçarja qëndronte e pajetë në brendësi të dhomës, me shenja dhunë në trup.
Teksa ngjarja është e mbuluar me mister, pasi ende nuk dihet nëse është krim në familje apo grabitje, ndërsa grupi hetimor ka kërkuar mjekun ligjor nga kryeqyteti për të provuar përmes shenjave të ADN nëse bëhet fjalë për ndonjë faktor të huaj në këtë krim, apo është vrasje mes tyre. Sipas informacioneve të fundit, bëhet me dije se kryefamiljari kishte 5 ditë që kishte ardhur nga Athina pasi kishte marrë pensionin, i cili duket se ishte bërë dhe ‘mollë sherri’ mes dy të moshuarve. Mësohet se i moshuari vuante nga probleme të shëndetit mendor. Çifti nuk kishte fëmijë dhe jetonte vetëm me pension nga Greqia. Deri më tani grupi hetimor nuk ka gjetur armen e krimit (arme e ftohtë).
“Rreth orës 08:00 janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K. I., 84 vjeç dhe K. I., 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore. Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia