Avokati nga Kosova Tomë Gashi tha në një intervistë për Euronews Albania se i takon Shqipërisë të bëjë një analizë të drejtë lidhur me çështjen e ekstradimit në Hagë të Dritan Goxhaj.
Ai tha se Dritan Goxhaj mund të mos ekstradohet në rast se konsiderohet se ai nuk ka ndërhyrë në çështje të drejtësisë. Gashi tha se Shqipëria duhet ta analizojë shumë mirë këtë çështje, pasi në rast se ai do ekstradohet, në Hagë nuk do e presë fillimi i një hetimi, por një aktakuzë.
“Dritani ka gjasa të mos ekstradohet nëse konsiderohet se janë çështje të politizuara dhe që ai nuk ka ndërhyrë në drejtësi.
Shqipëria si shtet sovran e demokratik , duhet ta analizojë tepër mirë çështjen e tij, sepse do të na dhemb secilit prej nesh nëse ai ekstradohet në Hagë dhe do e vërejmë pafuqinë tonë për të mbrojtur qytetarët tanë.
Qytetarët e Shqipërisë që dërgohen në Hagë, do të përballen me akuza të cilat janë tepër të vështira, të vërtetohen, apo të anulohen, pasi kushdo që ekstradohet në Hagë, atje e pret një aktakuzë dhe jo fillim i një hetimi”,-tha avokati Gashi.