Avokati Tomë Gashi, ka thënë se djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore është dështim i të gjithëve, sepse është rast i ndjeshëm.
“Instituti i Mjekësisë Ligjore është dashur të ruhet si sytë e ballit sepse aty ka dëshmi e prova aq të ndjeshme. Dështimi është i të gjithëve në këtë rast. Ka kompetenca të mëdha, informata e shumëçka tjetër, madje edhe informata skandaloze”, tha ai.
Sipas Gashit, “nuk është dështim vetëm i qeverisë, por i të gjithëve”.
“Faji po gjuhet te njëri-tjetri. Me Albulena Haxhiun me Albin Kurtin, kjo çështje nuk mbetet me kaq, do të bëhen edhe ekspertiza të tjera”, tha ai.
Instituti i Mjekësisë Ligjore ku mbahen prova të rëndësishme për vdekjet e dyshimta në Kosovë, u përfshi nga zjarri dy herë brenda këtij viti.
Derisa hetimet vazhdojnë për të dyja rastet, si shkaktar të zjarrit zyrtarët e përmendën rrjetin elektrik.
Organet e hetuesisë ende nuk kanë konfirmuar shkaqet e zjarrit në të dy rastet derisa nga Instituti thonë se dëmet nuk janë të mëdha.
Gashi ka folur edhe për vdekjen e Astrit Deharit.
“Zhdukja e mostrave është rast i keq dhe i ndjeshëm”, u shpreh ai.
“Familja kërkon drejtësi. Plagët që ia kam parë Astrit Deharit tregojnë prova. Duhet të zhvillohen ende hetime”, tha tutje ai.