Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Torturat e policit serb në Istog

 
   

Çaslav Joliç është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për krime lufte në komunën e Istogut. Një nga viktimat e maltretimeve të Joliç është edhe Zef Malsijaj nga fshati Gurrakoc. Ai për tëvë 1 ka treguar se si shoqërimi i disa gazetarëve të huaja përfundoi me rrahje brutale nga Jolic dhe katër policë të tjerë serb.

Vendin ku u torturua për vdekje po e viziton edhe një herë.

Këtu në lagjen e njohur si “Bllagaq” në fshatin Gurrakoc të Istogut, Zef Malsijaj, thotë se u rrah nga pesë policë serb.

Në mesin e tyre ishte edhe Çaslav Joliç, i cili është duke u gjykuar për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ishte pranvera e vitit 1998, kur Zef Malsijaj po shoqëronte disa gazetarë ndërkombëtarë të cilët kishin ardhur për të raportuar për rrëzimin një helikopter i forcave policore dhe ushtarak serbe.

E kjo vizitë nuk do të kishte një përfundim aspak të mirë për Malisjajn.

“Helikopterit ka qenë këndej i dëmtuar por na nuk e kemi pa se forcat serbe kanë intervenu dhe e kishin stacionuar në burgun e Dubravës. Si qytetarë i këtij vendi, e kam ditë këtë lokacion jam ardh dhe kam njoftuar , jam ardh si kojshi pasi e njohur terrenin, këta kërkuar ndihmën time unë i kam njoftuar kam ardhur më ta dhe iu kam ndihmuar. Kanë qenë pesë policë sigurisht nje 20 minuta jam ballafaquar me maltretime me të shamë e më të ramë, dhe pas 20 minuta unë kam rënë për tokë dhe jam alivanos. Kanë ardhur gazetarët me kanë fut në automjetin e tyre”, deklaroi Zef Malsijaj, viktimë e maltretimeve të Qaslav Joliç.

Por këtu nuk do të përfundojnë maltretimet për Malsijajn.

“Forcat serbë edhe pas asaj dite me kanë qu në stacion policor me kanë maltretuar edhe atje disa orë pastaj me kanë qu edhe gjyqtari me denu me burg, gjyqtari ditën e parë nuk me ka dënu, por me ka thënë ditën e mërkurë më paraqit në seancë por unë nuk jam paraqit në seancë jam largu prej vendit dhe ata kanë shqiptu dënimi pa qenë unë prezentë dhe kështu unë nuk jam kthye në Kosovë deri pas luftës”, u shpreh Malsijaj.

Tortura që Joliç ushtroi bashkë më policët tjerë serb ndaj Malsisë ishin të rënda sipas bashkëvendasit të Zef Malsisë, Gjërgj Palokës.

“Kur e kam vizitu në shtëpi, e kam pa në një gjendje të tmerrshme si një gjendje.. i goditur në krye edhe në gjitha pjesët e trupit me vështirësi ka komunikuar me ne, kam dëgjuar që ka pas maltretime edhe ndaj personave të tjerë, në mesin e tyre janë edhe dy që i njoh personalisht Nexhmedin Curri dhe Naim Feratin”, tha dëshmitari, Gjergj Paloka.

E për këto maltretime që bëri në Gurrakoc, në vitin 2022 Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Caslav Joliçit.

Ai për këtë akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

E për këtë Malisjaj pret që Gjykata të marrë dënim të merituar deri sa gjykimet për krimet e luftës ai quan si të vona.

“Mendoj që është shumë i vonuar, unë e kam denoncua shumë herët këtë rast por nuk janë marrë gjoja nuk ka ndonjë ligj për rastet tilla, ka ardhur koha kur është aprovuar Parlamente dhe kam pa të nevojshme me denoncua apet rastin”, ka thënë Zef Malsijaj.

Seanca e fundit e planifikuar për gjykimin e Çaslav Joliçit ishte paraparë më 22 shkurt, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mungesës së avokatit Miodrag Brklajq.