Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Totaj ankohet për mungesë përkrahje: Komunat po diskriminohen, investimet s’janë as 1 milion euro

 
   

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, është shprehur i pa kënaqur sa i përket mbështetjes nga niveli qendror. Totaj për eo ka thënë se shuma e investimeve që vijnë nga ministritë është më pak se 1 milion.

Krahasuar me qytetin e Shtimes, Totaj ka thënë se komuna që ai e drejton ka marrë më pak se 1 milion euro.

I pari i Prizrenit e quan jo profesionale dhe diskriminim qasjen karshi komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa apelon që të jetë më “profesionale dhe më gjithëpërfshirëse”.

“Ato që ne i paraqesim janë të dhëna nuk janë ankesa, janë një reflektim apo një paraqitje e gjendjes faktike. Ne e dimë që grandi kryesor vjen nga Qeveria dhe ajo është në bazë të numrit të banoreve dhe territorit. Mirëpo pjesa tjetër e investimeve që do të duhej të vinin nëpër komuna përmes ministrive, aty komunat diskriminohen. E keni parë para disa muajve ka qenë publike, ku një paradoks për shembull ku komuna e vogël e Shtimes merr më shumë mjete se sa Prishtina ose edhe se sa Prizreni bashkë. Prandaj është një qasje, kisha me thanë jo profesionale edhe një qasje e cila nuk i bënë nderë as vetë qeverisë, as komunave, sepse me pas një qasje me konstruktive, më profesionale, më gjithëpërfshirëse kishe me u pa ndikimi më i madh i qeverisë qendrore nëpër komuna sepse tek e fundit edhe qeveria qendrore votat i ka marr nëpër komuna se nuk ka pasur ka t’i shpikë ato”.

“Është një vlerë shumë e vogël prej qeverisë që është ndarë diku as një milion euro nuk është. Kurse Shtimja ka marr më tepër se Prishtina. Gjilani për shembull që është komune sa gjysma e Prizrenit ka marr gjashtë milionë e kusur, kurse Prizreni as një milion. Unë nuk po them diskriminim se për më thënë diskriminim i qëllimshëm duhet me pasur argumente, por po them jo profesionalizëm edhe mungesë e sensit për realitet me ditë se cila komunë çfarë trajtimi duhet të këtë”, ka thënë Totaj.

Kreu i Prizrenit ka folur edhe për projektet që kanë nisur në këtë qytet. Krahas rregullimit të sheshit të Shatërvanit, po punojnë edhe për ndërtimin e teleferikut në Kala. Vonesat për këtë projekt, ia faturon kompanisë franceze të specializuar për projektimin e teleferikëve, “Swiss Contact”.

“Shikoni në Prizren janë disa projekte në vazhdimësi e sipër. Për momentin jemi duke u marr me rregullimin e sheshit të Shatërvanit edhe aty kemi vonese e kemi ngecje për shkak të një mungese të fleksibilitetit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Historike si pjesë e qeverisë që është po na ngadalësojnë tempon. Mendoj se do të duhej të ishin më fleksibil edhe më konstruktiv edhe në bashkëpunim edhe me KEK-un edhe me Komunën që të adresojmë të rregullojmë atë punë. Në anën tjetër, jemi po ashtu në proces të implementimit të projektit për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit, edhe aty kemi ngecje por këtu nuk po e fajësoj Qeverinë, më tepër Swis contaktin që me siguri i ka pengesat e veta sepse Komuna ka marrëveshje tri paleshe, me ‘Swis Contact’ dhe me Qeverinë, ku e para e bën studimin e fizibilitetit dhe e paraqet projektin në detaje, Qeveria i ndan mjetet kurse komuna e implementon projektin”, u shpreh Totaj.

Totaj ka kërkuar që përkatësia politike të mos jetë pengesë sa i përket ndihmesës nga niveli qendror. E sheh të rëndësishme bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe komunave.

“Ne kemi shumë kërkesa për Qeverinë që nëse nuk na aprovohen projektet, të paktën të marrim pjesë në bashkëfinancim për ato projekte të cilat janë në vijim e sipër. Një qasje të tillë e kemi kërkuar dhe e kemi has në bashkëpunim të pjesërishëm, mirëpo ngadalë po shkon ekzekutimi tek renovimi i Shtëpisë së Kulturës. Pra nuk ka një ekspeditivitet në kryerjen e obligimeve të cilat i kanë marrë përgjegjësitë edhe kjo nuk i kontribuon përformancës së mirë të Qeverisë. Unë mendoj që çështja e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë qendrore dhe lokale, nuk duhet të jetë e ndikuar nga begraundi politik apo partiak sepse është e rëndësishme për qytetarët që t’i shohin rezultatet e punës e bashkëpunimit të qeverive qendrore e lokale, e këtu ka hapësirë të madhe për përmirësim”, u shpreh Totaj.