Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Trafik droge dhe laboratorë kokaine/ Megaprocesi “SKY ECC” në Belgjikë, jepet pretenca për të tjerë shqiptarë

Ka vijuar ditët e fundit në Belgjikë megaprocesi “SKY ECC” me 128 të pandehur, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine.

Për Shkëlzen P., i cili ishte aktiv në kriptofonin “SKY ECC” me emrin “Bugati”, prokuroria kërkoi dënimin me 10 vjet burg, konfiskimin e 200 mijë eurove dhe ndalimin profesional dhe ndalimin e mbajtjes së funksioneve publike për dhjetë vjet.

Ai mësohet se ka transportuar drogë në Itali për llogari të vlonjatit Eridan Munoz Guerrero, një prej drejtuesve të dyshuar të grupit, duke përdorur automjete të regjistruara në emër të kompanive frontale. Në kriptofonin e tij “SKY ECC” u gjetën foto të blloqeve të kokainës dhe kontakte brenda organizatës kriminale.

Prokuroria publike kërkoi edhe dhjetë vjet burg ndaj Mehmet S., si dhe sekuestrimin e 500.000 eurove dhe ndalim profesional dhe ndalim të mbajtjes së posteve publike për dhjetë vjet. Analiza e mesazheve “WhatsApp” në celularin e tij zbuloi gjithashtu foto të blloqeve të kokainës, biseda për importin e sasive të mëdha të drogës nga Amerika Latine në Antwerp dhe kontakte me Eridan Munoz Guerrero. Mehmet S. akuzohet edhe për falsifikim, pasi ka falsifikuar kartën e identitetit dhe ka ndryshuar emrin.

Prokuroria federale kërkoi 7 vjet burgim për Brenard S., si pjesë e një trafiku të gjerë droge të zbuluar pas deshifrimit të shërbimeve të mesazheve “Encrochat” dhe “SKY ECC”. Si përsëritës, vëllai i tij, Adlis S., rrezikon 10 vjet burg.

Bisedat me Eridan Munoz Guerrero, një nga drejtuesit e dyshuar të organizatës, në lidhje me një laborator dhe 50 kg kokainë të kapur nga doganat gjermane në Hamburg, u gjetën në telefonin e pajisur me softuer komunikimi të koduar “SKY ECC” që i atribuohet Adlis S. Udhëzimet ishin dhënë nga Brukseli, vuri në dukje prokuroria. “Prandaj Belgjika është kompetente për këto fakte,” argumentoi ai. Prokurori vuri në dukje edhe vëzhgimet dhe përgjimet e kryera nga policia në të cilat shfaqet Adlis S.

Brenard S. i janë gjetur edhe gjurmët e gishtërinjve në një kuti, e më saktë në vegla të destinuara për larjen e kokainës, vazhdoi prokurori publik. Në mars të vitit 2022, i pandehuri u ndalua në Gjermani në një makinë që transportonte drogë dhe 10.000 euro. Automjeti ishte i regjistruar në emër të kompanisë “BAT Concept”, e përdorur si kompani ballore nga organizata, sipas prokurorisë. “Edhe pas arrestimit të Eridan Munoz Guerrero, dy vëllezërit vazhduan të merrnin me qira kuti përmes kompanisë “BAT Concept” dhe të transportonin kokainë”, kujtoi prokurori federal.

Magjistrati kërkoi gjithashtu një konfiskim prej 100,000 eurosh ndaj Brenard S., 250,000 euro ndaj Adlis S. dhe ndalim të menaxhimit të kompanisë për dy vëllezërit për 10 vjet.