Pas tragjedisë në Itali ku humbën jetën 21 persona dhe u plagosën 15 të tjerë tashmë ka ende shumë pikëpyetje lidhur me shkaqet që mund të kenë shkatuar ngjarjen e rëndë.
Ekspertët e rrugorës flasin për gjendjen e barrierave në mbikalim, të cilat ishin të vjetra. Nga ana tjetër në barrierrat mbrojtëse ka një hapësirë boshe rreth 2 metra. Një problem shëndetësor ose pagjumësia e shoferit, janë fillimi dhe jo fundi i kësaj historie të trishtë që dokumentohet edhe nga dëshmitarët okularë të ngjarjes.
Kur Boubacar Touré dhe shokët e tij të dhomës dëgjuan një zhurmë të madhe, pranë banesës së tyre, ata menduan se ishte një tërmet.
Por më pas kur hapën dritaret e kuzhinës kuptuan se kishte rënë një autobus.
“Ne zbritëm me vrap në vendin ku autobusi digjej dhe dëgjova një grua që bërtiste, “Fëmija im, fëmija im. Unë arrita ta nxirrja nga dritarja dhe më pas nxora vajzën e saj, e cila kishte marrë djegie të rënda, por ishte ende gjallë.”
Ai shpjegon se është përpjekur të shuajë flakët, por kjo nuk ishte e mjaftueshme.
“Kalimtarët më jepnin fikëse të tjera, por asgjë nuk ndihmoi, na u desh të prisnim zjarrfikësit”.
Ndërsa për shqiptarin Bujar Bucaj i cili është pronar i një lokali në atë zonë i cili ka parë të gjithë skenën thotë për TGCom 24 se u përpoq të ndihmonte, por nuk pati mbështetje nga persona të tjerë që shihnin dhe bënin foto ose telefononin ekipet e emergjencës duke pritur ardhjen e tyre.
“Meqë vij nga një vend ku kam jetuar luftën e di çdo të thotë kur njerëzi janë në vështirësi. Vrapova vetëm. Kishte makina të tjera, ndalonin, por askush nuk vinte të më ndihmonte. Unë kërkoja ndihmë.”
Ai tregon se ka mundur të nxjerrë një vajzë nga autobusi.
“Ishte një vajzë të cilën arrita ta largoja. Më pas dolën 3 persona nga autobusi, por nuk di si i’a bënë. Ishte një vajzë 16 vjeçe, një djalë 20-vjeçar dhe një 40-vjeçar. Këto kanë arritur të dalin para se të vinte policia.”
Autobusi me 39 pasagjerë, që transportonte turistë në një kamping aty pranë, pas një dite në qendrën historike të Venecias, kishte lëvizur përgjatë një mbikalimi kur papritur doli nga krahu të Martën në mbrëmje.
Ai u përplas me barrierat dhe u fluturoi disa metra drejt një binari hekurudhor ku shpërtheu në flakë.
Ajo çfarë ka mbetur tani në vendin e mbikalimit ku autobusi mori kthesën e fundit katastrofike, shinat mbrojtëse janë copëtuar ndërsa copa xhami shtrihen në asfalt.
Disa kalimtarë kanë vendosur lule në nderim të viktimave.