Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Tragjike në plazhin e Velipojës, 20-vjeçari humb jetën nga arresti kardiak

Një ngjarje tragjike ndodhi këtë të martë në plazhin e Velipojës. Një djalë vetëm 20 vjeç humbi jetën sapo hyri në ujë. Ai u nxor në breg nga familjarët dhe roja bregdetare, por pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e parë ai ndërroi jetë.

Fillimisht u dyshua se i riu kishte humbur jetën nga mbytja, por në njoftimin e saj policia thotë se 20-vjeçari dyshohet të ketë pësuar arrest kardiak.

“Rreth orës 10:25, në plazhin e Velipojës, shtetasi A. S., 20 vjeç, banues në Shkodër, sapo ka rënë në kontakt me ujin, nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore. Ai është nxjerrë në breg nga familjarët dhe roja bregdetare dhe i është dhënë ndihma e parë, por ka humbur jetën. Paraprakisht dyshohet se 20-vjeçari ka humbur jetën nga arresti kardiak. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e saktë të shkakut të humbjes së jetës”, thuhet në një njoftim të policisë së Shkodrës.

Që prej nisjes së këtij muaji janë disa rastet kur pushues të moshave të ndryshme humbin jetën sapo futen në ujë, dyshohet për shkak të arrestit kardiak. Megjithatë, viktima e ditës së sotme është më i riu në moshë.

Për shkak edhe të temperaturave të larta, ekspertët kanë këshilluar herë pas here për kujdes nga ekspozimi në diell./