Policia e Durrësit vetëm mbrëmjen e djeshme do të zbardhte vrasjen e 50-vjeçarit Pëllumb Meta, duke zbuluar se autori i krimit të rëndë nuk është vajza e tij 19-vjeçare, por djali 24-vjeçar, Hysen Meta.
Deri më tani, vrasjen e ka marrë përsipër vajza, Hygerta Meta, por policia ka zbuluar se qitësi nuk është ajo dhe se Hysen Meta ka pranuar ekzekutimin e babait.
Për ekspertin e Sigurisë Fajton Softa, ngjarja e djeshme në Durrës është një ngjarje e makabër.
“Është një ngjarje tejet e rëndë që duhet parë në shumë rrafshe sa i përket analizës por edhe hetimit të saj.
Kemi të bëjmë me një punë shumë të mirë nga ana e policisë sa i përket shpejtësisë dhe zbardhjes së dinamikës së kësaj vrasjeje.
Më shumë se vrasja, tashmë hetimi duhet përqendruar tek arsyet që kishin këta fëmijë për të vrarë babanë e tyre.
Po ashtu rezulton se ekzekutori është djali i madh i kësaj familjeje, dhe si i tillë ai duhet të hetohet edhe më tej, për të parë edhe mundësinë e përfshirjes së tij në aktivitete të tjera kriminale.
Kemi të bëjmë me armëmbajtje pa leje, dhe policia duhet të ndërmarrë një nismë të gjerë për grumbullimin earmëve në qarkullim.
Por policia e vetme është e pamjaftueshme, pasi kemi të rinj që drogohen, kemi të rinj të dhunshëm, kemi një dhunë në familje që po krijon dhe pasiguri sociale”, u shpreh ndër të tjera eksperti i sigurisë Fatjon Softa.
Në vijim ai theksoi që në këto dy muaj në vendin tonë kanë ndodhur ngjarje tejet të rënda që kanë tronditur mbarë opinionin për nga forma se si ato kanë ndodhur.