Tre marinsa të ushtrisë amerikanë kanë vdekur pas rrëzimit të avionit të tyre në veri të Australisë, thanë zyrtarët amerikanë.
“Në bord ishin 23 pjesëtarë të personelit. Tre prej tyre janë konfirmuar se kanë vdekur, ndërkaq pesë të tjerë janë transportuar në spitalin mbretëror të Darvinit dhe janë në gjendje serioze”, tha përmes një deklarate një zyrtar i marinës amerikane.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se incidenti ishte “tragjik”. Fluturakja amerikane, sipas tij, u rrëzua në veri të Australisë teksa po merrte pjesë në stërvitje ushtarake.
Ai tha se Qeveria e tij është e përqendruar që të ofrojë mbështetje.
Transmetuesi Sky News Australia raportoi se transportuesi ushtarak i llojit v-22 Osprey, në të cilin gjendeshin afër 20 marinsa amerikanë, u rrëzua në brigjet e Darvinit.
Gjatë një konference për media, Albanese refuzoi të jepte detaje se si ndodhi incidenti apo për përpjekjet e shpëtimit, që tha se po zhvillohen në ishullin Melville në veri të Darvinit.
“Fokusi jonë si Qeveri dhe si departament i mbrojtjes është që të reagojmë për incidentin dhe të sigurohemi se do të jepet çdo mbështetje e nevojshme në këtë kohë të vështirë”, tha ai.
Albanese shtoi se personeli australian nuk ishte i përfshirë në incident.
Policia e Territorit Verior njoftoi më herët se është përgjigjur raportimeve për rrëzimin e një fluturakeje në ishullin Meville.
SHBA-ja dhe Australia viteve të fundit kanë rritur bashkëpunimin ushtarak.
Katër ushtarë australianë u vranë muajin e kaluar gjatë stërvitjeve dypalëshe, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin, u rrëzua në oqean, afër brigjeve të Kuinslendit. /REL