Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Tre serbët e arrestuar për krime lufte ishin lokalizuar nga AKI

Tre serbët e arrestuar të mërkurën nën dyshimin për krime lufte, Zoran Kostiq, Dragan Milloviq i njohur me nofkën “Musa” dhe Illija Elezoviq ishin lokalizuar dhe po përcilleshin për një kohë të gjatë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, mëson KosovaPress.

Njëri nga të arrestuarit, Dragan Milloviq, mësohet se ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës, ndërsa është dorëhequr në nëntor të vitit 2022.

“Pas mbledhjes së provave dhe dëshmive nga dëshmitarët dhe viktimat, janë identifikuar edhe të dyshuarit të cilët bazuar në gjetjet hetimore janë përgjegjës dhe të dyshuar në veprën penale ‘Krime lufte’. Në Kallëzimin Penal Plotësues është prezantuar dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit e lartcekur kanë kryer krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare duke filluar nga fshati Vërnicë, Reznik, Novolan Studime, Varrezat e Qytetit në Vushtrri dhe në Burgun e Smrekovicës”, bëjnë të ditur burime nga institucione të sigurisë.

E si duket, gjithçka kishte filluar kur “gjatë shqyrtimit të dokumentacioneve të ndryshme nga misioni i UNMIK-ut, dhe atyre EULEX-it, të KMDLNJ-së, hetuesit e Departamentit të Hetimeve të Krimeve të Luftës (DHKL), në vitin 2022, kishin arritur të identifikojnë dëshmitarë dhe prova për të dyshuarin S.T. dhe në bashkëveprim me PSRK-në, arrijnë të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin S.T. me datën 15.12.2022, i dyshuar për vrasje në fshatin Reznik, Vërnicë dhe torturë ndaj popullatës civile shqiptare te Varrezat e Qytetit në Vushtrri me datën 22 maj 1999”.

“E gjatë intervistimit të dëshmitarëve dhe viktimave të luftës të Komunës së Vushtrrisë, hetuesit kishin arritur të identifikojnë edhe të dyshuar të tjerë si Z.B. Z.K. D.M. dhe I.E. dhe të tjerë, të cilët janë të dyshuar për masakrën e familjes Ujkani në fshatin Reznik, në Masakrën e fshatit Studime, në vrasje, torturë dhe ndalim të kundërligjshëm në Kooperativën Bujqësore në Vushtrri më 3 maj 1999 dhe në vrasje më 22 maj 1999 në shtëpinë e Kariman Pasomës në Vushtrri si dhe torturimin dhe ndalimin e burrave te varrezat e Vushtrrisë me datën 22 maj 1999, ku mbi 900 burra i dërgojnë në Sallën e Sporteve në Vushtrri dhe të nesërmen me datën 23 maj 1999, i dërgojnë në Burgun e Smrekovnicës, ku torturohen për mbi 15 ditë, pastaj shumicën prej tyre i depërtojnë në Shqipëri”, thuhet në dokumentin e institucioneve të sigurisë.

Mësohet se i dyshuari me inicialet Z.B., kishte ndërruar jetë më 16 shtator të këtij viti. Ai kishte qenë i angazhuar gjatë luftës në formacionet paramilitare dhe dyshohej për veprat penale “vrasje, dëbim, torturë dhe shkatërrim prone” në fshatrat Vernicë, Bukosh dhe Vushtrri.

Derisa për tre të tjerët që po mbahen në paraburgim, Zoran Kostiq, Dragan Milloviq dhe Illija Elezoviq në dokumentin e institucioneve të sigurisë thuhet si në vijim:

“I dyshuari Z.K. ka qenë komandant i forcave serbe, gjatë vitit 1999, i cili me një grup të forcave serbe ishte vendosura në shtëpinë e Shaip Zenelit në fshatin Reznik, ku është i dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e familje UjkanI me 6 prill 1999, kur vriten 9 anëtarë të kësaj familje. I dyshuari I. E. është i dyshuar për plagosje dhe vrasje me datën 2 dhe 3 maj 1999, në Masakrën e fshatit Studime dhe për torturë në kooperativën bujqësore në Vushtrri. Gjithashtu është edhe përgjegjës për fshehjen e kufomave të viktimave shqiptare përmes punëtorëve të tij të Kompanisë së Pastrimit në Vushtrri, sepse ka qenë drejtor i saj deri në fund të luftës. I dyshuari D.M, ka qenë pjesëtar i forcave të sigurisë MUP – Vushtrri është i dyshuar për torturë dhe ndalim të kundërligjshëm të burrave shqiptarë me datën 22 maj 1999, te varrezat e qytetit në Vushtrri. Ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës i angazhuar me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 deri në nëntor të vitit 2022 kur pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb kanë dhënë dorëheqje kolektive.”

Kujtojmë se dje (e enjte), më 21.09.2023, tre të dyshuarit janë dërguar në Gjykatën Themelore – departamenti Special në Prishtinë, ku iu është caktuar masa e sigurisë me paraburgim për 30 ditë.