Tregu i automjeteve në Prishtinë vazhdon të funksionojë, por jo si më parë pasi që numri i shitjes ka rënë e bashkë me të edhe fuqia blerëse.
Qytetarët thonë se çmimet e automjeteve janë të larta për xhepin e tyre, teksa shitësit ankohen se me liberalizimin e vizave dhe shitjet online ka rënë edhe fuqia blerëse.
Qytetari Mon Peci, i cili kishte ardhur për të blerë një veturë, shprehet i zhgënjyer me çmimet e larta.
Peci: Tepër i larë çmimi i veturave
“Kam ardhur të shikoj për një veturë…Një “Pasat” desha ta shikoj…Gjeta dy, por shumë shtrenjtë janë”, thotë Peci.
Se çmimet janë të shtrenjta dhe ka më pak zgjidhje, e thotë edhe qytetari, Arsim Berisha.
Berisha: Ka më pak shitës, tash me telefon në sallone po blejnë krejt
“Kam ardhur të shikoj për të blerë një veturë…por shtrenjtë shumë…Mirëpo ka më pak shitës, kerret shtrenjtë shumë… Tash me telefon dhe në sallone të veturave po blejnë krejt”, thotë Berisha.
Shitësit nga ana e tyre çmimet e automjeteve i konsiderojnë “normale”, teksa mungesën e shitjes së tyre e shohin te rënia e fluksit të blerësve pas heqjes së regjimit të vizave.
Hysen Mazreku thotë se në rënien e fluksit të blerësve ka ndikuar liberalizimi i vizave.
Mazreku: Ka blerës më pak, ka mungesë të lekëve
“Unë kam dalë të shes makinën, i kemi tre “Golf”-a…Më së shumti ka interesim për ta, pak më të lirë me çmim, këto tjerat është mungesë e lekëve…Ka blerës më pak…Pak ka ndikuar liberalizmi i vizave”, thotë Mazreku.
Shitësi tjetër Murat Hashani thotë se del rrallë në treg për shitjen e veturave që i merr kryesisht ngas jashtë, e për çmimin e të cilave thotë se nuk janë të shtrenjta.
Hashani: Shes rrallë në treg
“Nuk dal vazhdimisht, dal rrallë, vetura është nga jashtë…Unë nuk po e mbaj shtrenjtë. Nuk e di për tjerët a është shtrenjtë”, thotë Hashani.
Rënia e interesimit për blerje nuk prek vetëm shitësit e automjeteve, por edhe ata që sjellin mallra të ndryshme nga jashtë, përfshirë gjëra antike. Një qytetar, i cili ka sjellë gjëra antike nga Vjena, thotë se ka rënie të madhe të blerësve pasi sipas tij pagat janë të ulëta.
Qytetari: Nuk ka shitje, njerëzit nuk kanë para
“Prej Vjenës e bie këtë mall. Nuk i gënjej njerëzit. Jam i saktë qysh iu them, ka gjëra antike që janë para 100 viteve. Qysh i marr atje, i sjelli. Janë gjëra të moçme…Kam ardhur në pushim, dhe kur vij i sjell këto gjëra…100 për qind ka rënë numri i blerësve. Shembull, ka gjëra që dikur kam shitur 100 euro, ndërsa tash 50 euro. Ka rënë çmimi, sepse njerëzit nuk kanë (para), është gjendje e keqe në Kosovë. Kam ardhur në ora 05:00 dhe rri deri në 15:00”, tha ai.