Tri monumente të heroit kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu iu shtuan sot komunave arbëreshe në Kalabri – San Sofia, San Basile dhe Zangarona.
Pothuajse në çdo qendër te fshatrave arbëreshe ngrihet busti i Heroit Kombëtar si simbol që mban gjallë identitetin arbëror.
Në këtë kontekst, ceremonia e sotme e inaugurimit të busteve në të tre komunat bëri bashkë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, banorët arbëreshë, autoritetet lokale, shqiptarë të Shqipërisë të ikur pas viteve ’90 si edhe personalitete nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia.
Presidenti Begaj i cili i dhuroi arbëreshëve dy buste, shprehu falënderim ndaj pjesëmarrësve në këtë festë kombëtare.
”Kam ardhur të mbaj fjalën që ju dhashë tetorin e kaluar, sepse për ne shqiptarët, fjala e dhënë nuk është mit, por realitet. Është vizita e dytë në Kalabri dhe kjo vizitë më mbush me krenari për faktin që të gjitha institucionet italiane, duke filluar nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, prefektet e këtyre komunave dhe e gjithë media janë interesuar dhe kanë promovuar gjithçka në lidhje me Arbërinë. Patjetër që projekti Arbëria dhe Shqipëria, tashmë edhe Kosova dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi, do të kenë një bazë të shëndetshme për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre”, ka thënë Begaj.
Kreu i shtetit shqiptar theksoi se do të vijojë të japë ndihmën e tij, frymëzuar nga modeli i arbëreshëve i vlerësimit dhe promovimit të historisë aq të rëndësishme për ruajtjen e identitetit përballë sfidave te kohës.
Duke vlerësuar figurën e Skënderbeut, si strateg që përcaktoi të ardhmen e popullit tonë drejt Evropës, presidenti Begaj u shpreh se edhe sot ai është simbol për të gjithë shqiptarët kudo janë.
Ndërkohë në San Basile, ceremonia u shoqërua dhe me një ekspozitë fotografike të artistit Vlasov Sulaj mbi rrugëtimin nga Shqipëria në Kalabri të monumentit të punuar nga skulptori Ardian Pepa.
Nga Zangarona, pas inaugurimit të bustit të Skënderbeut, kreu i shtetit ftoi të rinjtë arbëreshë të shndërrohen në ambasadorë të vlerave historike, kulturore, identitare të Arbërisë.
“Dua t’ju inkurajoj të vazhdoni të jeni ambasadorë të vlerave tuaja. Përdorni çdo mjet që keni në dispozicion, nga teknologjia, deri te mediat sociale, për të treguar historinë tuaj unike dhe për të ndikuar pozitivisht në komunitetin tuaj e më gjerë. Jini krenarë për atë që jeni dhe atë që përfaqësoni! Tregojuni botës për thesaret e këtushme, bukurinë e veshjeve, për argjendarinë dhe zbukurimet e kostumeve tuaja karakteristike, që prodhohen në mënyrë artizanale nga rrobaqepës duarartë. Ekspozoni artin e mrekullueshëm të pikturës së shprehur gjatë gjashtë shekujsh historie. Përhapni meloditë e këngëve dhe motivet e valleve të gëzueshme.
Në këtë rrugëtim do të na keni në krah”, tha presidenti Begaj. /EuronewsAl