Vajza e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, Gresë Krasniqi, ka bërë një shkrim prekës për babain e saj, që po mbahet në paraburgim në Hagë, qe tri vjet. Ai ishte arrestuar më 4 nëntor të vitit 2020, raporton Express.
Krasniqi ka shkruar se këto tri vite kanë kaluar “sikur në ferr”, derisa ka thënë se nuk e ka besuar se “parajsa ime do të ishte një dhomë e vogël dhe e zymt e fshehur pas 12 dyersh të hekurta”.
Në këtë “dhomë”, ka thënë se i festuan ditëlindjet, sukseset, fejesën, martesën dhe se si në po atë dhomë e mori lajmin se do të bëhej gjysh.
“Aty kemi qarë e kemi qeshur, na recitoje poezi e luajtem me karta. Biseduam aq shumë për jetën tënde! Çuditërisht edhe ajo piktura e varur në mur, duket aq e bukur në çdo vizitë që kalojmë bashkë. Ne këto tre vite padrejtësi, nuk u mësuam me mungesën tënde por u bëmë të fortë. Në këto tre vite padrejtësi, liria jone kishte vetem një emer: Jakup Krasniqi”, ka shkruar Krasniqi.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ishte arrestuar nga hetues të Prokurorisë Speciale më 4 nëntor dhe të njëjtën ditë ishte tranferuar për në Hagë.
Veprat që rëndojnë ndaj Krasniqit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK’së kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.