Nga janari deri në tetor të këtij viti, janë vrarë tri femra, si dhe janë evidentuar 2186 raste të dhunës në familje, ku 1763 prej tyre janë gra e vajza.
Kështu ka thënë Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Kosovapress.
“ Gjatë vitit 2022 janë evidentuar 2765 raste të dhunës në familje. Viktimë të këtyre rasteve kanë qenë 2288 femra dhe 517 meshkuj (ndonjë rast ka pasur më shumë se një viktimë). Kanë ndodhur 7 raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto shtatë raste janë evidentuar 8 viktima (një rast me dy viktima), 4 meshkuj dhe 4 femra. Gjatë periudhës janar-tetor 2023 janë evidentuar 2186 raste të dhunës në familje. Viktimë të këtyre rasteve kanë qenë 1763 femra dhe 497 meshkuj (ndonjë rast ka pasur më shumë se një viktimë). Kanë ndodhur 4 raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar 5 viktima (një rast me dy viktima), 2 meshkuj dhe 3 femra”, tha policia.
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi tha se si shtet duhet të jemi më pro-aktiv në parandalimin e këtyre rasteve që mos të përfundojë deri te pasoja e dhunës.
Ibishi apeloi që të ndërmerret një fushatë e dorëzimit të armëve ilegale sepse zakonisht nga ato armë e po kryhen vrasjet, grabitjet e kërcënimet.
“Kjo situatë e tashme çfarë kemi ne këtu dhe politikat e ligjet, dhe udhëzime ndërkombëtare që janë të zbatuara në Kosovë, mendoj që duhet të jemi shumë më pro-aktiv në parandalim të këtyre rasteve, mos të vijmë deri tek pasoja e dhunës, ndërsa reagimi vjen me vonesë, atëherë kur duhet të ndërmarrën masat çoftë nga policia, çoftë kufizime të tjera… Nuk jemi shumë të them të theksuar në aspektin statistikor, jemi në ngritje të vogël, por kjo duhet të na vetëdijesojë”, u shpreh ai.
Ai u ndal edhe te rasti i fundit, i vrasjes së Liridona Ademajt, ku se ky ka qenë një rast jashtëzakonisht i rëndë, derisa lavdëroi profesionalizmin dhe angazhimin e Policisë së Kosovës.
Psikologu Petrit Thaçi tha se vrasja është shpërthimi më i shëmtuar i instinktit dhe se kohëve të fundit kriteri i këtyre akteve ka humbur toruan.
“ Vrasja është një dukuri realisht e shëmtuar, është zbrazja maksimale e një energjie problematike, negative e botës njerëzore, është shpërthimi më i shëmtuar i instinktit, agresionit i cili instinkt është i projektuar të vihet në përdorim vetëm atëherë kur ne jemi të rrezikuar por kohëve të fundit po e shohim që tani kriteri i këtyre akteve, sikur e ka humbur toruan, kuptimin, funksionin, sigurisht që len një shije të keqe për të gjithë.. Arsyet mund të jenë të shumta, gjithmonë paraprinë një ndjesi problematike e vrasësit, i cili percepton në diçka, në atë çfarë ai posedon … Ai mund të marrë veprim që t’i eliminojë nga skena, pra, një ndjesi që gjërat po na dalin nga kontrolli, një ndjesi e mbushjes me hakmarrje dhe vjen një moment që shpërthen në atë dhunën e agresionin, deri tek një krim i shëmtuar”, tha Thaçi.
Në vitin 2022 rreth 48 mijë e 800 gra dhe vajza në gjithë botën janë vrarë nga partnerët apo nga anëtarët e familjes. Ndërsa për vitin 2023 ende nuk ka të dhëna të sakta.