
Presidenti Donald Trump tha të martën se do të dyfishojë tarifat e tij të planifikuara për çelikun dhe aluminin nga 25% në 50% për Kanadanë, duke përshkallëzuar kështu një luftë tregtare me fqinjin verior të Shteteve të Bashkuara.
Trump tha në mediat sociale se rritja e tarifave që do të hyjë në fuqi të mërkurën është një përgjigje ndaj rritjes së çmimeve që qeveria provinciale e Ontarios vendosi për energjinë elektrike të shitur në Shtetet e Bashkuara, raporton AP.
“Kam udhëzuar Sekretarin tim të Tregtisë që të shtojë një tarifë shtesë nga 25% në 50%, për të gjithë çelikun dhe aluminin që vijnë në SHTETET E BASHKUARA NGA KANADA, NJË NGA KOMBET ME TARIFA MË TË LARTË NË BOTË”, postoi Trump të martën në Truth Social.
“E vetmja gjë që ka kuptim është që Kanadaja të bëhet shteti ynë i dashur i pesëdhjetë e parë”, postoi Trump të martën. “Kjo do të bënte që të gjitha tarifat dhe gjithçka tjetër të zhdukeshin plotësisht.”
Shtëpia e Bardhë pas mbylljes së tregjeve të hënën theksoi se tarifat po i shtynin kompanitë si Honda, Volkswagen dhe Volvo të konsideronin investime të reja në fabrikat amerikane.