
Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai ukrainas Volodymyr Zelsnkyy patën një takim ballë për ballë të shtunën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë.
Mu aty ku i ndjeri Papa Françesku shpesh predikonte nevojën për një fund paqësor të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ndërsa nga takimi 15 minutësh i dy liderëve nuk dolën shumë detaje, Trump, me t’u kthyer nga Vatikani në Uashington kishte drejtuar akuza ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Trump tha se ka dyshime nëse Vladimir Putin i Rusisë vërtetë dëshiron t’i japë fund luftës së tij në Ukrainë, duke shprehur skepticizëm të ri se një marrëveshje paqeje mund të arrihet së shpejti.
Trump la të kuptohet gjithashtu për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti takimin produktiv.
“Shkoi mirë. Ishte një takim produktiv. Nuk dua të hyj në shumë detaje sepse pyetjet ishin pyetje të ndjeshme… Por, ne duam të vazhdojmë me takime të tilla për të sjellë paqen në Ukrainë”, tha ai.
Trump dhe Zelenskyy u takuan para ceremonisë së varrimit të Papa Françeskut në Vatikan.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes dy liderëve që kur ata debatuan gjatë një takimi në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë në fund të shkurtit.
Komentet e Trump lidhur me synimet e Putinit janë një kontrast me komentet e tij të ditëve të fundit ku lideri amerikan kishte deklaruar se të dy palët janë shumë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kjo pasi i dërguari i tij special, Steve Uitkoff u takua me Putini të premten në Moskë.