Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e Jakup Krasniqit për lirim dyjavor

 
   

Trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit si dhe ka hedhur poshtë kërkesën e tij për lirim të përkohshëm prej dy javësh gjatë pushimit veror. Kështu ka bërë të ditur shefja për informim në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Angela Griep.

Ajo ka thënë se në arsyetim, trupi gjykues, ka theksuar faktin se dëshmitarët e ndjeshëm i janë bërë të ditur mbrojtjes së Krasniqit dhe “rrjedhimisht duhet të shmanget rreziku i kryerjes së krimeve të tjera”.

Griep ka folur në informimin e rregullt javor të Gjykatës Speciale.

“Më 17 korrik, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe hodhi poshtë kërkesën e tij për lirim të përkohshëm prej dy javësh gjatë pushimit veror të gjykatës. Në arsyetimin e vet, Trupi Gjykues theksoi faktin se gjykimi në këtë çështje ka filluar, identitetet e dëshmitarëve të ndjeshëm i janë bërë të ditura Mbrojtjes së Krasniqit, dhe rrjedhimisht duhet të shmanget rreziku i kryerjes së krimeve të tjera.

Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Krasniqi të pengojë ecurinë e procesit dhe rreziku që të kryejë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në çështjen gjyqësore dhe/ose që pritet të paraqiten para gjykatës”, ka thënë ajo./KosovaPress