Prishtinë- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do ta takojë homologun e tij shqiptar, Edi Rama, në vizitën që ky i fundit do ta ketë në Prishtinë. Ai u shpreh se takimi nuk do ndodhë nëse nuk do ketë një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.
“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, tha Kurti.
E pas kësaj deklarate, kanë ardhur edhe reagimet nga politikanë të ndryshëm në Kosovë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku thotë se “kryeministri i Shqipërisë është i mirëpritur”, pasi Edi Rama pritet të vijë nesër në Kosovë. Abdixhiku thotë se vetëm fakti se diskutohet pritja ose jo e tij, flet për “gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova”.
“Natyrisht që kryeministri i Shqipërisë është i mirëpritur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë pritjen ose jo të tij tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova. Kryeministri është i mirëseardhur gjithmonë në Kosovë”, tha Abidhxiku.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka pyetur se “si është e mundur që kryeministri Kurti refuzon takimin me kryeministrin e Shqipërisë”.
“Kjo është marrëzi. Turp. Vuçiçin e takon pa kushte, e Ramës i vendosë kushte”
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se sipas saj Kurti më lehtë ia falë Vuçiçit “krimet dhe gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë” sesa që ia falë Ramës “që e ka shkatërruar tentativën e Albinit për të ndërhyrë në zgjedhjet e brendshme të Shqipërisë përmesë LVV-së”.
Ndër të tjera, Musliu u tregua goxha e ashpër duke e quajtur Kurtin “mashtrues”, “zhyll”, “demagog” dhe “rrenc”.
“Albini ma leht ja falë Vuçiqit krimet e gjenocidin që ka ndodhë në Kosovë se sa qe ja falë Kryeministrit Rama qe e e ka shkatërru tentativen e Albinit për të ndërhyrë ne zgjedhjet e brëndshme të Shqipërisë përmes VV ! Inatin e madh e ka thiu! #Mashtrues #Zhyll #Demagog #Rrenc”, shkroi ajo në Facebook.