Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

U arrestua nga policia serbe në kufi/ Veteranit të luftës Hasan Dakaj i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për 30 ditë

Ish ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, i cili ishte arrestuar në fillim të janarit nga policia serbe kinse për krime lufte, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Avokati Xhevdet Smakiqi ka thënë se autoritetet serbe po vazhdojnë ta mbajnë të kidnapuar veteranin e luftës.

“Edhe pse këto 30 ditë familja Dakaj e mbështetur vetëm nga fshati Korishë e Prizrenit dhe nga përpjekjet e mia modeste jashtë mundësive që të angazhohemi direkt në Serbi, ankthin dhe friken po e përjeton e vetmuar pa asnjë mbështetje konkrete nga Qeveria e Kosovës. Nuk mund të quhet mbështetje e Qeverisë MPJD-së për Hasan Dakaj as familjen Dakaj, vetëm përgjigja në telefon dhe deklarimi formal i zyrtarëve te MPJD-se se e vizituan njëherë Hasan Dakaj në burgun e Beogradit”, ka deklaruar avokati Smakiqi.

Prandaj, sipas tij, lehtësisht Serbia i burgosë e i torturon ish-pjestarët e UÇK-së, në mungesë dhe indiferncë totale diplomatike e politike të Qeverisë së Kosovës jo vetëm në rastin Dakaj por edhe te Nezir Mehmetaj.

“Ne do të vazhdojmë betejën juridike edhe pse kidnapimi i tij është politikë, duke bashkëpunuar ditë dhe natë me mbrojtjen sipas detyrës zyrtare të Hasan Dakaj që të vërtetohet se u kidnapua pa asnjë provë dhe krejt gabimisht nga policia serbe në Merdare”, ka thënë avokati.

Ai në fund thotë se Hasan Dakaj po e paguan me lirinë e tij personale liberalizmin e vizave të Kosovës, andaj Qeveria e Kosovës duhet të mos mbetet indiferente në rastin e tij, por të ndërmarrë veprime konkrete efektive diplomatike të ndërmjetësit në Bruksel që ta detyrojë shtetin serb që ta lirojë menjëherë, sepse është ndalim kidnapim hakmarrës politik.