Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

U dënua me 25 vjet për vrasjen e bashkëshortit, Kushtetuesja e kthen në rigjykim rastin e Suzana Zogiani-Sekiraqës

 
   

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që ta kthejë në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë rastin e Suzana Zogiani-Sekiraqës, e cila është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e bashkëshortit.

Zogiani-Sekiraqa më 17 dhjetor 2019 është shpallur fajtore për vrasje të rëndë nga Gjykata e Prishtinës, me ç’rast ishte dënuar më 25 vite burgim, me të cilin dënim i ishte llogaritur dhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 5 tetor 2018.

Më 20 maj 2021, Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtëses së të dënuarës Suzana Zogiani-Sekiraqa, e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Prishtinës të datës 17 dhjetor 2019 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës të datës 3 korrik 2020, për vrasje të rëndë.

E Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të parimit kushtetuese të barazisë së armëve.

“Bazuar në të lartcekurat, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të parimit kushtetues të barazisë së armëve dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me garancitë procedurale të mishëruara në paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, Gjykata shpalli të pavlefshme të njëjtat dhe ktheu çështjen përkatëse penale në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses, të cilin mund ta gjeni të plotë duke klikuar këtu.

Ndryshe, më 21 shtator 2018, në Francë, Suzana Zogiani-Sekiraqa, ka vrarë bashkëshortin e saj duke e goditur 11 herë me sëpatë dhe se sipas saj, këtë akt e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë teksa abuzonte me djalin e tyre.