Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

U largua me shpejtësi për t’iu shmangur kontrollin në kufi, arrestohet 72-vjeçari/ Hodhi nga makina armë, e më pas iu gjetën mijëra euro

Në PKK Hani i Hotit, në territorin e Malit të Zi, në dalje për në Shqipëri, shtetasi F. S., i cili drejtonte një automjet tip “Benz”, nuk ka ndaluar për të kryer proceduat për hyrjen në Shqipëri dhe është larguar me shpejtësi duke u futur në territorin shqiptar, në PKK Hani i Hotit.

Punonjësit e Policisë Kufitare të Malit të Zi kanë sinjalizuar menjëherë punonjësit e Policisë Kufitare të Shqipërisë, të cilët kanë bllokuar menjëherë daljen nga pika e kalimit.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. S., ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të fshehë armën e zjarrit pistoletë mbrapa një ndërtese në pikën e kalimit, por është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e Policisë Kufitare shqiptare.

Gjatë kontrollit të përbashkët me homologët e Malit të Zi, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën këtij shtetasi, të fshehura në automjet, edhe një shumë prej 17 640 eurosh, të ndarë në disa pjesë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit F. S., 72 vjeç, banues në Shkodër, me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.