Ekzekutimi me plumb në kokë i efektivit, Novruz Cenalia, në Baltëz të Fierit, fillimisht ngriti dyshime për vrasje për hakmarrje.
Sipas të dhënave, familja e tij ishte përfshirë vite më parë në një ngjarje të rëndë në vendlindje, e për pasojë kishte lëvizur nga hasi dhe ishte vendosur në zonat e Fierit për të mos qëndruar në të njëjtin vend me familjen së cilës i kishte humbur një njeri për shkak të një tjetër konflikti.
Por menjëherë pas zbulimit të autorit, policia dhe grupi hetimor e kanë fshirë dyshimin e një hakmarrjeje të mundshme, në vrasjen e efektivit, i cili veç një muaj më parë ishte martuar! Menjëherë dyshimet kanë rënë në një përplasje banale mes dy të rinjsh, të cilët janë takuar në një rrugë të ngushtë, në fshat.
HETIMET
Duke parë të dhënat familjare të autorit të krimit, policia dhe grupi hetimor kanë nisur verifikimet nëse ka patur njohje të mëparshme mes autorit dhe viktimës. Kjo vjen për shkak edhe të faktit që vëllai i autorit rezulton një person me të shkuar të rëndë kriminale, pasi ka dalë i përfshirë në masakrimin e Florian Selimit, ngjarje e ndodhur me 13 gusht të vitit 2019. Kiri Mernica bashkë me një person tjetër, i morën jetën të riut me origjinë nga Tropoja, duke e masakruar në një rrugë fshati dhe duke e hedhur më pas të pajetë në kanal.
Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik por Policia e Fierit, ndonëse u vu shumë shpejt në dijeni të zhdukjes së djalit tropojan, nisi me shumë vonesë kërkimet, jo vetëm për autorët por edhe për trupin. Ishin vetë familjarët e gjetën të hedhur në kanal dhe të mbuluar me kallamishte, ndërsa autorët e krimit nuk u kapën për një kohë të gjatë.
Duhej një tjetër tentativë vrasjeje, që Kiri Mernica të vihet në pranga në prillin e vitit 2021, e për pasojë, tashmë grupi hetimor po heton nëse kanë patur njohje dhe ndonjë dyshim se efektivi i policisë ka marrë pjesë në operacionin e arrestimit të të vëllait. Po ashtu policia po heton edhe përditshmërinë e të riut, pasi ai rezulton të ketë qëlluar menjëherë me armë zjarri ndaj efektivit, por do të priten edhe dëshmi të tjera, përveç familjes së viktimës. Gjithashtu policia e Shtetit pretendon se ai do të vihet në pranga shpejt, dhe nëse arrestohet do të jetë vetë i riu që do të tregojë edhe shkakun që e çoi në krimin e rëndë të vrasjes së efektivit të policisë, teksa ishte nisur të merrte turnin e punës!
SHPËRBLIMI
Vijojnë të dalin në dritë detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Fier mesditën e kësaj të hëne ku efektivi i forcave “Shqiponja” Novruz Cenalia, mbeti i vrarë me armë zjarri nga Asllan Mernica alias Azgan Mernica. Për ngjarjen policia ka vendosur një dëmshpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që siguron informacion të vlefshëm për kapjen e tij.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punon jësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23- vjeçarit. Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”, njofton policia.
VËLLAI I AUTORIT
Autori i ekzekutimit të efektivit në Fier mësohet se është vëllai i një të dënuari me 19 vite burg për vrasje. Ngjarja ku është përfshirë vëllai i Asllan alias Azgan Mernicës ka ndodhur më 13 gusht të vitit 2019 në Fier.
Kiri Mernica dyshohet se në bashkëpunim me e Sadri Selaci masakruan me thikë të riun Florian Selimi dhe më pas trupin e tij e hodhën në një kanal ku u gjet pas disa orësh kërkime.
Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci. 23-vjeçari Florian Selimi ishte goditur me thikë në qafë dhe trupi i tij ishte tërhequr për disa metra nga vendngjarja. Sipas Policisë, vrasja është kryer më datë 11 gusht, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur mëngjesin e 12 gushtit në një kanal.