Gjendet brenda pak minutave nga Skuadra e Njësisë Policore Detare që monitoron vijën bregdetare në qarkun Durrës, një e mitur 3 vjeçe që u raportua e humbur nga prindërit e saj, në plazhin e Spillesë.
Policia Kufitare e Qarkut Durrës në bashkëpunim me Skuadrat e Njësisë Policore Detare që operojnë në qarkun Durrës, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe ardhjes në ndihmë të qytetarëve dhe pushuesve në nevojë, rreth orës 17:00 kanë marrë njoftim nga një shtetas nga Elbasani, i cili po pushonte me familjen në plazhin e Spillesë, se vajza e tij 3-vjeçare kishte humbur kontaktet me prindërit dhe nuk po e gjenin dot.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe patrullat tokësore, menjëherë kanë nisur kontrollin përgjatë vijës bregdetare dhe si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare nëpërmjet Jet Ski, brenda pak minutave bënë të mundur lokalizimin e 3-vjeçares që lëvizte e vetme përgjatë vijës bregdetare.