Një vajzë e zhdukur në moshën 14-vjeçare dhe që prindërit nuk ndaluan së kërkuari për 4 vite është gjallë.
Alicia Navarro nga Arizona, e cila u zhduk natën e 15 shtatorit 2019, është gjetur e sigurt disa shtete larg.
Tani 18 vjeç, ajo hyri në një stacion policie në një qytet të vogël Montana, 40 milje nga kufiri kanadez dhe u identifikua si adoleshentja që ishte raportuar e zhdukur në shtator 2019, tha policia e Glendale.
“Alicia Navarro është gjetur. Ajo është e sigurt, e shëndoshë dhe e lumtur”, tha Zyrtari i Komunikimeve për Sigurinë Publike të Glendale, Jose Santiago gjatë një konference për shtyp.
Adoleshentja e cila është autike, u largua nga shtëpia e saj në Glendale natën e 15 shtatorit 2019, vetëm 14 vjeç. Prindërit e saj, të cilët ishin në gjumë kur ajo u largua nga shtëpia, gjetën një shënim të shkruar me dorë nga vajza e tyre ku shkruhej: Do të kthehem, ju betohem, më vjen keq! Më pas nuk u dëgjua më për të, deri këtë javë.
Navarro hyri vetë në departamentin e policisë lokale në Montana dhe kërkoi që të hiqej nga lista e fëmijëve të zhdukur. Departamenti njoftoi policinë e Glendale, e cila konfirmoi identitetin e saj dhe kontaktoi familjen e adoleshentes për t’i bërë të ditur se ajo u gjet e sigurt.
Navarro më pas u takua me nënën e saj dhe kërkoi falje për dhimbjen që shkaktoi. Nëna e saj, Jessica Nuvez në një video të publikuar në “Facebook”, e quajti mrekulli gjetjen e vajzës së saj katër vjet pas zhdukjes.
“Për të gjithë ata që u mungojnë të dashurit, dëshiroj që ta përdorni këtë rast si shembull. Mrekullitë ndodhin. Mos e humb kurrë shpresën dhe lufto gjithmonë”, ka thënë ajo.
Nunez tha se nuk kishte detaje rreth zhdukjes së vajzës së saj, por tha se gjëja e rëndësishme është që ajo është gjallë. Policia e Glendale tha se po heton sesi adoleshentja arriti në Montana dhe me kë ka jetuar për katër vitet e fundit, pasi shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Ata thanë se Navarro doli nga shtëpia e saj me dëshirën e saj dhe po bashkëpunon me autoritetet. Ajo gjithashtu i tha policisë se askush nuk e ka ngacmuar ndonjëherë ndër vite.