Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fidan Ukaj, thotë se rreziqet për sulm ndaj Kosovës kanë qenë permanente duke i konsideruar si të tepruara deklaratat e fundit nga krerët e shtetit lidhur me sulm të mundshëm në Veri të vendit nga ndonjë grup i armatosur kriminal.
‘’Kemi dëgjuar edhe deklaratat e Konjufcës, edhe të ministrit Maqedonci po ashtu të kryeministrit për një sulm të mundshëm në Kosovë nga ana e Serbisë, mendoj se rreziqet kanë qenë permanente gjithmonë, por se këto deklarata të tanishme, për sulm të mundshëm, janë të tepruara si deklarata’’, thotë ai.
Ukaj thotë se Kosova është ndër vendet më të sigurta në Ballkan, dhe kjo për shkak të prezencës së NATO-s përmes KFOR-it.
‘’Kosova është nga vendet më të sigurta në Ballkan, jo për shkak të kapaciteteve të Policisë apo FSK-së, por se e ka mbikëqyrjen nga aleanca e NATO-s e cila e garanton sigurinë në Kosovë”, shprehet ai.
Ai thotë se këto deklarata po e atakojnë ekonominë e vendit dhe se nuk i kontribuojnë imazhit të Kosovës në botë.
“Për këtë arsye mendoj se këto deklarata janë të tepruara dhe po e atakojnë ekonominë e Kosovës, po i bëjnë dëm të madh dhe këto nuk i kontribuojnë imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Ukaj.
Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëjtë pat deklaruar edhe javën që shkoi, ku pati thënë se ka informacione të për një sulm eventual të ushtarëve serb në Kosovë.
Këto deklarata i pati dhënë pas takimit me homologen e tij nga Sllovenia, Urska Klakocar Zupançiq, duke thënë se e ka njoftuar atë për shqetësimin e Kosovës si shtet në lidhje me tendencat destabilizuese të Serbisë.
“Shpreha shqetësimin tonë si popull e si shtet për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë që kulmuan më 24 shtator [në Banjskë], ku Serbia përmes një grupi të armatosur vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy policë të tjerë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u vënë para drejtësisë kryerësit e këtij krimi” – ka thënë Konjufca, më një korrik të këtij viti.