Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të ndodhin në pjesën e dytë të pranverës, thotë analisti politik, Fidan Ukaj. Sipas tij, pas paralajmërimeve të kryeministrit, Albin Kurti se është i gatshëm për shpërndarjen e Kuvendit i mbetet opozitës të iniciojë kërkesë në Kryesinë e Kuvendit për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme me të vetmen pikë, shpërndarjen e legjislativit.
Ukaj thotë për KosovaPress, se ky ndryshim i qëndrimit politik të Kurtit për zgjedhje të parakohshme vjen për shkak të presionit ndërkombëtar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ukaj: Mundësia është shumë e madhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme
“Mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje është për shkak të presionit ndërkombëtar rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mendoj se blerja e një kohe që kryeministri dëshiron të ketë në dispozicion për të shtyrë disa procese të tjera por edhe për të menduar për të shkruar një draft të Kosovës, ndoshta mund të kemi edhe zgjedhje të reja…Zotëri Kurti mund të qojë vendin në zgjedhje në pjesën e dytë të pranverës dhe për rrjedhojë t’i largohet këtij presioni ndërkombëtar sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thotë ai.
Meqenëse opozita nuk i ka numrat për shkarkimin e qeverisë Kurti, Ukaj thotë se si zgjidhje mbetet dorëheqja ose shpërndarja e Kuvendit që duhet të realizohet me dy të tretat e votave të deputetëve.
Ukaj: Gjasat që opozita të merr iniciativë të shkarkojë qeverinë janë minimale
“Gjasat që opozita të merr iniciativë të shkarkojë qeverinë janë minimale për shkak të numrave në kuvend, megjithatë mundësia që të kemi një proces të ri zgjedhor është e mundshme… Ne i dimë numrat e opozitës, gjasat janë minimale me këto numra që i kanë opozita pa iu bashkuar të them të pakënaqurit e LVV-së”, shton Ukaj.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Ukaj, adreson kritika ndaj ndërmjetësit të dialogut, përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak.
Sipas tij, i njëjti e ka bllokuar procesin e dialogut, për shkak të planit të gabuar të sekuencimit të marrëveshjes bazë dhe vendosjes së kushteve për Kosovën.
Ukaj: Procesin e dialogut e ka bllokuar vetëm Lajçak
“Plani i sekuencimit ka qenë i ndërtuar gabim nëse mund të them kështu. Vendosja e implementimit të Asociacionit si pikë e parë për Kosovën dhe në anën tjetër edhe për shkak të sulmit terrorist që ndodhi në veri të vendit, ku nuk ka sanksione ndaj Serbisë, por vazhdimisht ka kërkesa ndaj Kosovës. Në vend të ndihmës të këtij procesi dialogues nga Lajçak, ai vetëm sa e ka bllokuar procesin dialogues. Nëse mund të ketë kontribuues në këtë bllokim të këtij procesi është vetëm zotëri Lajçak, për shkak të planit të sekuencimit të ndërtuar gabim duke vendosur kushte të rënda për Kosovën dhe në anën tjetër duke mos kërkuar asgjë nga Serbia”, deklaron ai.
Sa i përket kërcënimeve të Serbisë ndaj Kosovës, ai thotë se të njëjtat janë serioze dhe duhet të shihen me shqetësim nga institucionet dhe faktori ndërkombëtar.
Ukaj: Ka kërcënime të vazhdueshme nga Serbia
“Ndërtimi i 40 bazave përreth perimetrit të kufirit në Kosovën, po ashtu disolokimi i ushtrisë vazhdimisht, kërcënimet e vazhdueshme, kjo nuk është diçka e re në adresë të Kosovës. Kërcënime në adresë të Kosovës kemi pasur vazhdimisht nga Serbia, po ashtu kemi pas edhe shkelje territoriale, hyrje të forcave serbe brenda territorit, kidnapimit të policëve. Ajo çka vërtet mendon Serbia dhe presidenti Vuçiq, veç sa e tha që do të shfrytëzojnë mundësinë e parë për invadimin e Kosovës”, përfundon Ukaj.
Kryeministri Albin Kurti, dje në një intervistë në mediumin publik, tha se mazhoranca në Kuvend është e gatshme nëse ka kërkesë të partive opozitare për shpërndarje të Kuvendit.