Forca Ajrore ukrainase tha se i ka rrëzuar 22 nga 27 dronët e tipit Shahed me të cilët Rusia i sulmoi pesë rajone të Ukrainës gjatë natës.
Sulmi dëmtoi një objekt industrial dhe plagosi një person në rajonin e Poltava, tha guvernatori Filip Pronin, në Telegram.
Ushtria ukrainase shkatërroi gjashtë dronë mbi rajonin jugor të Mykolaiv, tha guvernatori.
Ai shtoi se nuk u raportua për viktima, veçse u shkatërrua një shtëpi private dhe u dëmtuan rreth dhjetë të tjera.
Katër dronë u rrëzuan mbi rajonin jugor të Hersonit dhe katër të tjerë mbi rajonin qendror të Dnipropetrovsk, thanë guvernatorët e rajoneve.
Sulmi shënjestroi gjithashtu rajonin verior të Sumit, pa detaje të dëmeve të raportuara nga autoritetet rajonale.
Rusia i ka rritur bombardimet kundër infrastrukturës energjetike civile në Ukrainë prej muajit mars, duke ia shkatërruar shumicën e kapaciteteve të termocentraleve dhe hidrocentraleve.
Si pasojë, ka pasur reduktime të rrymës dhe import të energjisë elektrike në sasi rekorde./rel