Ukraina ka pranuar një pjesë të ndihmës financiare nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 1.5 miliard eurosh dhe shpreson që të marrë edhe 10 milionë euro të tjera më vonë gjatë këtij viti, thanë zyrtarët.
Ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, tha se BE-ja, që i ka dhënë Ukrainës 31 miliardë euro, është bërë donatorja kryesore e financimit të buxhetit për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj shkurtin e vitit 2022.
Shtetet e Bashkuara, që kanë miratuar miliarda dollarë për paketën e re të ndihmës për Ukrainën, po ashtu janë një donatore e rëndësishme.
“Mbështetja ndërkombëtare është kyçe që të sigurohet stabiliteti makroekonomik dhe të ndërtohet një bazë për rritjen ekonomike”, tha Marchenko.
Gjatë këtij viti, Ukraina përballet me një deficit buxhetor prej 37 miliardë dollarësh dhe shteti varet shumë nga ndihma e partnerëve të saj perëndimorë në mënyrë që të jetë në gjendje të paguajë për shpenzimet e saj shoqërore dhe humanitare.
Kievi përdor shumicën e të ardhurave shtetërore për mbrojtje, përderisa trupat e tij po përballen me forcat ruse që janë në numër më të madh dhe të pajisura më mirë.
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, tha se Qeveria mirëpret që BE-ja të japë miratimin final për programin për Ndihmën e Ukrainës në vlerë prej 50 miliardë eurosh, dhe shpreson që të marrë edhe tre pjesë të tjera të ndihmës nga kjo shifër gjatë këtij viti.
Sipas saj, pas miratimit final, Kievi do të mund të pranojl 1.89 miliard euro në qershor, dhe edhe 4 miliardë euro të tjera së bashku në shtator dhe nëntor.
Ukraina duhet të zbatojë një numër reformash në mënyrë që të mund të marrë këtë ndihmë financiare që i ka ofruar blloku evropian. Ndër të tjera, Kievit i kërkohet që të marrë masa që të përmirësojë transparencën, të luftojë korrupsionin, të përmirësojë mjedisin e të bërit biznes dhe të afrojë legjislacionin e shtetit me atë të BE-së./rel