Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dimal Basha i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ministri i Financave, Hekuran Murati s’po firmos për të nisur me ndërtimin e “unazës së kryeqytetit”.
Rama tha dje në Frontal se ky projekt 350 milionë eurosh i duhet Prishtinës dhe se tash e katër muaj po e presin një nënshkrim nga Murati. Por Basha thotë se “në Londër kishin ba hajgare” me këtë projekt.
“Përparim Ramës i kish hup busulla! Ky bashkëpunëtori i LDK-së niherë dul mashtroj publikun se qysh ky i ka ‘organizu’ Lojërat Mesdhetare, ku kontributin e vetëm në komplet procesin e ka veç një nënshkrim, sikur që e kanë edhe 6 kryetarë të komunave tjera. Tash paska thanë Qeveria po ma bllokon ni projekt që po kushtojka veç 350 milion euro. Po me pas kanë Kryetar i Londrës kishin ba hajgare m’i lyp 350 milion euro, e jo për ni udhë n’Prishtinë! Qysh ka thanë ai i moçmi, ide edhe unë kam plotë, veç a ki pula!”, shkroi Basha.
Rama tha se ka përfunduar dizejnimi i unazës së kryeqytetit dhe se nevojitet firma e Muratit.
“Jemi në pritje të një nënshkrimi qe katër muaj prej ministrit të Financave për me leju me vazhdu në pjesën tjetër.”, tha Rama.
“Na vyen një firmë e ministrit të Financave, për fat të keq. Nuk po e jep për momentin”, tha ndër tjerash kryetari i Prishtinës.
I pyetur se pse Murati nuk po nënshkruan, Rama tha se “ministrit i duket shumë e madhe” paratë që parashihen të investohen.