Shkalla e varfërisë në vitin 2023 në Kosovë vlerësohet të jetë 16%, sipas analizës së Pulsit Publik “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, publikuar sot nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Analiza, e cila synon të vlerësojë shkallën në të cilën inflacioni ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të njerëzve në Kosovë, është bërë përmes anketimit të 1.500 ekonomive familjare dhe hulumtimit të plotë studimor.
Gjetjet tregojnë se shpenzimet për nevojat bazë, duke përfshirë gjërat ushqimore, transportin, shërbimet komunale, shëndetësinë, qiranë dhe shpenzimet e arsimit, janë rritur gjatë tre viteve radhazi.
Disa nga gjetjet kryesore tregojnë se derisa në vitin 2021, 38.8% e ekonomive familjare shpenzuan 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore kjo vlerë u rrit në 47.8% dhe deri në 59.5% të ekonomive familjare në vitet 2022, respektivisht 2023.
Duke i përdorur të dhënat e të hyrave dhe kufirin e varfërisë prej 1.85 euro për person në ditë, shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%. 10% e ekonomive familjare ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021, duke treguar një rënie në krahasim me vitin e kaluar.
Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10% e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë, kur merren parasysh të dhënat për rritjen e çmimeve.
Inflacioni ka ndikuar në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar ndërprerje në aktivitetet rutinore dhe rritje të stresit, duke çuar në cilësi më të ulët të jetës; 46% të respodentëve deklaruan se stresi dhe ankthi i tyre janë rritur si rezultat i rritjes së çmimeve.
69.2% e të anketuarve raportuan se duhej t’i përshtatnin zakonet e tyre të shpenzimeve ose buxhetin në përgjigje ndaj çmimeve më të larta vitin e kaluar.
Agon Dobruna, zëvendës ministër i Financave, Zana Gjocaj, drejtoreshë e Departamentit për Stabilitet Ekonomik dhe Financiar – Banka Qendrore e Kosovës, dhe Artan Mustafa, hulumtues i Gjendjes së Mirëqenies Krahasuese morën pjesë në panelin e diskutimit që synonte të nxiste një shpjegim më gjithëpërfshirës të çështjes dhe të lidhte perspektivat dhe veprimet që duhet të ndërmerren.
Diskutimi u përqendrua në të kuptuarit e sjelljes ekonomike të ekonomive familjare përballë inflacionit, pasojat e inflacionit tek ekonomitë familjare, duke përfshirë mirëqenien e tyre, si dhe veprimet institucionale për adresimin e inflacionit.
Ndryshe, Projekti Pulsi Publik, i cili ka hyrë në vitin e 21-të të punës, financohet nga populli amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), thuhet në një deklaratë për media të UNDP-së.