Këshilli organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile në bashkëpunim me qytetarë nga Kosova Lindore kanë protestuar, të hënën në Prishtinë kundër politikave të Serbisë ndaj shqiptare që jetojnë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Kryetari i Unionit të Shoqërisë Civile, Dashamir Uruçi, ka thënë se prej shumë vitesh me shqetësim të madh, shqiptarët kanë ndjekur zhvillimet politike në komunat me shumicë shqiptare në Serbi.
Ai këto i ka thënë në protestën e organizuar nga Unioni i Shoqërisë Civile kundër politikave agresive ndaj vendbanimeve shqiptare në Luginë, e cila është mbajtur në Prishtinë.
Ai tha se Kosova Lindore është zemra e shqiptarisë dhe se në vendbanime historike janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme liritë dhe drejtat themelore të njeriut.
“Kosova Lindore është zemra e shqiptarisë, janë mbledhur sot në këtë protestë paqësore përfaqësues nga gjithë vendbanimet që jetojnë shqiptarët, marrin pjesë qytetarë e patriotë nga Kosova Lindore, nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, kanë ardhur shqiptarë nga Shkupi, Shkodra, Kumanova, Ulqini e Tetova. Në këto vendbanime historike janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme liritë dhe drejtat themelore të njeriu”, tha Uruçi.
Tutje , shtoi se synimi i politikave të Serbisë është zbrazja e vendbanimeve shqiptare dhe spastrimi etnik.
“Politikat e ndjekura nga Serbia kanë qenë diferencimi, braktisja e skajshme dhe dëbimi me të gjitha mjetet. Synimi i këtyre politikave ka qenë zbrazja e vendbanimeve shqiptare dhe spastrimi etnik”.
Gjithashtu, kryetari tha se mbi 90% e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, nga 150 të punësuar vetëm 4 janë shqiptar.
“Në sektorin e shëndetësisë situata është shumë e rëndë. Në Preshevë ku jetojmë mbi 90% e shqiptarëve, Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit është serb. Asnjë drejtues, asnjë mjek, asnjë prokuror shqiptar. Nga 150 të punësuar i gjen vetëm 4 shqiptar ” , tha ai.
Uruçi u shpreh se për 15 vite rresht, 15 gjenerata që mbarojnë studimet në Kosovë, Serbia nuk ua njeh diplomat.
“Për 15 vite rresht 15 gjenerata që mbarojnë studimet në Kosovë, Serbia nuk ua njeh diplomat. Lugina e Preshevës është vendi më i pa zhvilluar ekonomikisht në Serbi ku papunësia arrin shifrat alarmante 50 deri 70%. Në këtë situatë që është krijuar në Kosovën Lindore duhet të përqendrohemi të gjithë nga e ardhmja…”, ka deklaruar Uruçi.