Lufta në Ukrainë dhe brishtësia e rajonit, e kanë bërë Shqipërinë të marra masa shtesë në fushën e mbrojtjes. Së pari, duke krijuar një ushtri rezervë. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shpjegon për ABC News nismën e re.
“Ne nuk kemi një shërbim rezervist aktiv. Me këtë ligj synojmë të përcaktojmë rregullat, kriteret, mënyrën se si do të ngrihet Forca Rezerviste në Republikën e Shqipërisë. Nuk për ccaktohet një numër në ligj, përcaktohet një tavan. Më shumë se 25% e totalit të numrit, që do të thotë me shifra konkrete 2100 efektivë”.
Këta persona do të paguhen si të ishin ushtarë aktivë, me një angazhim maksimumi 45 ditë në vit në repartet ushtarake. Ky rekrutim i ri nuk kërkon vetëm ish-ushtarakë, por edhe persona të tjerë, si ekspertë kompiuterikë apo kibernetikë që mund të duhen në rast krize.
“Kjo lidhet, s’kam pse e fsheh me skenën e sigurisë, e cila ka ndryshuar. Është bërë më e paqendrueshme. Deri para luftës në Ukrainë, kërcënimet konvencionale mendoheshin si kërcënime të kaluara, por ja që ka ndodhur dhe kjo ka tronditur gjithë skenën. Gjithë arkitektuara e sigurisë botërore është tronditur dhe kështu që shtetet kanë ndërtuar modelin e ri të forcës siç e quan NATO. Patjetër duhen kapacitete të shtuara, të afta për t’u përballuar, kriza, kërcënime të cilat mund të jenë të natyrave të ndryshme, qofshin këto konvencionale, hibride apo si në rastin tonë dhe të katastrofave natyrore”.
Shqipëria nuk ka dërguar forca shtesë në Kosovë pas ngjarjes së 24 shtatorit.
“KFOR është prezenca jonë më e madhe, kemi rreth 100 efektivë, të cilët nuk janë të dislokuar në pjesën e Veriut të Kosovës, janë kryesisht në Pejë dhe në shtabin e KFOR në Prishtinë. Natyrisht që ne jemi pjesë e gjithë vendimmarrjes së NATO-s, por më të interesuar më shumë se gjithë të tjerët, pasi Kosova është prioriteti jonë strategjik, kombëtar. Nuk i është kërkuar Shqipërisë, të shtojë numrat, mbas ngjarjeve në Veri, natyrisht NATO ka strukturën e vetë dhe rregullin e vetë të thirrjes në vende të ndryshme, nuk është ky rasti në Shqipëri. Por padyshim jemi të gatshëm të mbështesim çdo iniciativë për fuqizimin e NATO-s në Kosovë përmes KFOR. Do të jemi prezentë dhe në Rumani, pra një dislokim i ri i forcave tona me një kompani prej 120-130 efektifësh, një prezencë e konsiderueshme që i afrohet asaj të KFOR në Kosovë”.
Ministri i Mbrojtjes sqaron deklaratat e kryeministrit që shkaktuan polemika mbi rolin e KFOR në veriun e Kosovës, duke thekësuar se në një situatë hipotetike, ushtria serbe nuk mund të frenohet nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, por nga KFOR.
“Nuk është thënë asnjëherë që ne jemi për të nxjerrë jashtë loje policinë e Kosovës. Nuk është aspak e vërtetë, policia e Kosovës ka rolin e vetë ligjzbatues, ashtu si kundër kërcënimeve siç janë lëvizjet e trupave të Serbisë afër kufirit me Kosovën. Natyrisht që ushtarakisht nuk mund t’i përgjigjet ushtria e Kosovës, as UÇK, por ne i drejtojmë sytë nga KFOR dhe padyshim kërkojmë një marrje përgjegjësish nga KFOR. Roli i KFOR në Kosovë është i thirrur, i mirëseardhur, i apeluar nga qeveria e Kosovë dhe gjithë faktori shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri”.