Ushtria Amerikane ka kërkuar ndihmën e publikut për të gjetur një prej avionëve të saj luftarakë, F-35B, me vlerë 100 milionë dollarë. Avioni u zhduk të dielën pasdite, kur piloti e ‘braktisi’ teksa po fluturonte mbi Karolinën e Jugut.
Sipas asaj që shkruan BBC, ai u hodh me parashutë nga avioni dhe ndodhet në spital, në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Zyrtarët amerikanë thanë se avioni ishte përfshirë në një incident, por pa dhënë detaje të tjera se për çfarë bëhej fjalë. Avioni u la në autopilot në momentin që piloti u hodh prej tij. Sipas zyrtarëve mjeti mund të ketë qëndruar në ajër për një kohë të gjatë. Ata shtuan se po i fokusonin kërkimet rreth liqenit Moultrie dhe liqenit Marion, në veri të qytetit të Charleston. Zona e kërkimit u bazua në vendndodhjen e fundit të njohur të avionit.
Humbja e avionit nuk kaloi pa reagim. Në një postim në Twitter, kongresmenja republikane për Karolinën e Jugut, Nancy Mace shkruajti: “Si dreqin mund të humbësh një F-35? Si ka mundësi që nuk ka pajisje gjurmuese dhe ça po i kërkojmë publikut, që ta gjejë e ta kthejë?”
Ky avion luftarak është i dizenjuar që korniza e tij ajrore, sensorët dhe sistemet të operojnë pa u detektuar nga radarët e armikut…
Baza ushtarake në Charleston në një postim në rrjetet sociale tha se ekipet po vijonin punën për gjetjen e avionit. “Publikut i kërkohet që të bashkëpunojë me ushtrinë dhe autoritetet civile ndërkohë që përpjekjet vijojnë. Inkurajojmë këdo që ka informacion që mund të na ndihmojë për të gjetur avionin, të na kontaktojë”.
Ky avion kushton rreth 100 milionë dollarë dhe është një prej modeleve më të avancuara në botë.
Në 2018-n, Ushtria Amerikane ndaloi përkohësisht lëvizjen e të gjithë flotës së avionëve F-35, pasi një prej tyre u rrëzua në Karolinën e Jugut./tvklan.al