Së fundi, reagime të mëdha nxitën raportimet se, ushtria e Serbisë është parë në afërsi të një pjese të kufirit të Kosovës me Serbinë, përkatësisht matanë Bjeshkëve të Istogut,
Ishte moderatori Zeqir Mehmetaj, i cili publikoi disa pamje, në të cilat shiheshin forcat serbe në Bjeshkët e Corovodës në Istog.
E për këtë temë, ka reaguar Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.
Ai në një postim në Facebook u shpreh se kjo nuk është hera e parë që shteti serb nuk e respekton zonë neutrale prej 5 km.
Madje, Halimi tha se kjo qasje e Serbisë, vjen si pasojë e tolerimit të vazhdueshëm të politikave të saj, nga ana e ndërkombëtarëve.
“Dje u raportua se Ushtria e Serbisë ka hyrë në territorin e Kosovës, përkatësisht në veriperëndim, në bjeshkët e Istogut.
Kjo në fakt nuk është hera e parë, ka raste madje shumë më kërcënuese, jo vetëm duke mos respektuar zonë neutrale prej 5 km, por deri tek kindapimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë.
Natyrisht, sikurse përgjithësisht që tolerohet Serbia në politikat e saj destruktive dhe me motive agresive, ky vend merr zemër që papushim të ndjek një politikë të tillë ndaj vendeve të rajonit, e sidomos Kosovës”.
Krahas kësaj, ai kërkoi reagime edhe nga KFOR e EULEX-I ndaj këtyre provokimeve, pasi në të kundërtën po krijohet imazh jo serioz ndaj mandatit të tyre.
“Edhe pse pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i është deleguar kompetenca Policisë së Kosovës për kontrollin kufitar, duke qenë se prej qindra kilometra kufizohemi me një shtet agresiv, bashkësia ndërkombëtare, sidomos KFOR, edhe pse konsiderohet si reaguesi i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, duhet mos qëndroj indiferent ndaj këtyre provokimeve, ngase, nga një mekanizëm shumë i vlerësuar për siguri në Kosovë, krijon imazhin jo serioze ndaj mandatit që ka për garancinë e territorit të vendit”, nënvizoi Halimi.
Ndër të tjera, potencoi se këta mekanizma ndërkombëtarët nuk po i marrin mjaftueshëm parasysh kërcënimet e Serbisë, madje edhe po kritikojnë Kosovën në rast të ndonjë vendimi.
E për këtë, ai kërkoi që në rast se KFOR e sheh vetën si në një mission vëzhgues, t’i hapë rrugë institucioneve vendore, përfshi FSK-në.
“Ndryshe, duke qenë më tepër kritikues ndaj reagimeve të institucioneve vendore të sigurisë, sikurse në aspektin e reagimit brenda apo edhe ndaj kërcënimeve të jashtëme, dobësojnë karakterin mbrojtës të vendit, dhe në anën tjetër ndikojnë në gatishmërinë e tentativës për sulm të Serbisë. Edhe zhvillimet për rreth kufirit me Ukraininën nuk trajtoheshin seriozisht nga perendimi, gjersa ndodhi faktikisht sulmi, sepse këto lëvizje ‘masin pulsin’.! Gjersa Serbia ishte brenda me grupe kriminale dhe terroriste, me menaxhim të listës serbe, lufta e saj pritej të ndodhte guerile me akte terroriste, ndërsa kur tani u përjashtuan, i ka mbetur plani tjetër, ai i sulmit agresiv (nga jashtë), e kjo do bëhet ose jo, siç e thamë varësisht kundër reagimit nga KFOR dhe Kosova.
Po përsëris, nëse KFOR i ik mandadit duke u parë vetëm si mision vëzhgues, le të hap rrugë institucioneve vendore, mes tyre edhe FSK, sepse në çdo vend ushtria është kujdestarja e territorit!” – përmbylli Armend Halimi për “Bota sot”.