Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Vala” pa valë

 
   

Qytetarët konsumatorë të telefonisë mobile të operatorit “Vala” në ditët e fundit dhe sot (e premte) janë duke u përballur me probleme për thirrjet telefonike nga ky operator. Nga Telekomi i Kosovës i kanë thënë KosovaPress se në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 2024, ka filluar migrimin e platformave të reja dhe në të njëjtën kohë implementimin e kodit shtetëror mobil.

“Është përfunduar migrimi i Databazës së Konsumatorëve mobil. Ditëve në vijim, do të vazhdohet me platformat e tjera të teknologjisë së fundit. Si rezultat i këtij migrimi dhe ndryshimit të kodit të Monakos me atë të Kosovës, nevojitet rikyçja e telefonave në rrjet. Fluksi tepër i madh i rikyçjeve me kodin e ri ka shkaktuar ngarkesë në rrjet, dhe me këtë rast disa konsumatorë kanë mbetur të palokalizuar”, ka thënë zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Fadil Lepaja në një përgjigje për KP.

Lepaja ka thënë se ‘Telekomi i ka lutur konsumatorët për pak durim dhe mirëkuptim, pasi për shkak të ngarkesës momentale, operatorët tanë në Qendrën e Thirrjeve dhe rrjetet sociale ndoshta nuk do të mund t’u përgjigjen menjëherë, siç ndodh zakonisht’.

Ai më tej ka thënë se procesi i modernizimit që po ndodhë aktualisht, ‘nuk mund të kryhet në një ditë dhe me zero shqetësime’.

“Të gjitha shqetësimet e klientëve, përkundër ngarkesës së madhe jemi duke i adresuar dhe zgjidhur sa më shpejtë që është e mundur për ne”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky proces është duke u zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e Ericson Nikolla Teslla dhe të gjitha problemet e tranzicionit nga teknologjia e vjetëruar në atë të re, po menaxhohen me përkushtim dhe profesionalizëm.