Ish-këshilltari i Isa Mustafës, Valon Murtezaj thotë se mospërfshirja e tij në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale por e shenjëstruar.
Sipas tij, kjo është sjellje e shëmtuar që “nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
Murtezaj thotë se “shpirti Rugovian nuk e duron këtë”.
“Liria dhe Demokracia, respekti për mendimin e lirë (pa pasur pasoja), respektimi i rregulloreve, statutit dhe ligjeve, vlerësimi i profesionalizmit dhe etikës në punë, janë vlera më të rëndësishme në një organizatë bashkëkohore të kohës sonë”, deklaron ai.
Postimi i plotë:
Të nderuara Anëtare dhe Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Bashkëqytetarë dhe bashkëpatriotë,
Zonja dhe Zotërinj,
Ju falënderoj për interesimin dhe përkrahjen dhe besimin e treguar në vazhdimësi.
Në pamundësi që në këtë moment të ju përgjigjem individualisht, të gjithëve gjërë e gjatë, për shkak të numrit të madh, të gjithë ju që më keni shkruar, aktivistëve, qytetarëve pa dallim, gazetarëve, me mirëkuptim po ju shkruaj si në vijim :
Mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale, ishte e shenjëstruar.
Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shpirti Rugovian nuk e duron këtë.
Liria dhe Demokracia, respekti për mendimin e lirë (pa pasur pasoja), respektimi i rregulloreve, statutit dhe ligjeve, vlerësimi i profesionalizmit dhe etikës në punë, janë vlera më të rëndësishme në një organizatë bashkëkohore të kohës sonë.
Prandaj, jam dhe do te mbetem një zë që me vendosmëri i thotë mendimet e veta si njeri i lirë.
Nga përvoja e di që nuk nuk mund t’i japësh dikujt atë çfarë nuk ka kapacitet ta pranojë, e kuptoj dhe kam empati për këtë përplasje të civilizimeve.
Por, jam i pakompromis për Kosovën evropiane, ku dinjiteti, liria dhe demokracia janë të vlera humaniste që ju takojnë të gjithëve.
Shkelja e normave demokratike nuk ka vend në Kosovë.
Zonja dhe Zotërinj,
Ndërgjegja ime është humane, qëndron zgjuar, dhe nuk ka forcë a sjellje autokrate e despotike që mund ta shuajë.
Mentaliteti im nuk është korruptiv dhe shpirti im nuk është profiter.
Nuk ik nga nata, se dua ta bëjë ditë.
Unë jam i Kosovës, dhe këtu do të jem deri sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri.
Ju dua me shpirt