Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Varësi nga droga dhe armë ilegale, i riu prizrenas kapet në flagrancë nga Policia – shoqërohet në stacion

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në rrugën “Gani Saramati” në Prizren, ku Policia ka ndaluar disa të rinj, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te njëri prej tyre, pas kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi me substancë narkotike, të llojit marihuanë.

Sinjali mëson se përveç drogës, të dyshuarit i është gjetur edhe një mjet i mprehtë (thikë).

Qesja me marihuanë dhe arma e ftohtë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.