Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vdekja e ushtarit të FSK-së në ndërtimtari, kritika për paga të ulëta e pasiguri në vend të punës

 
   

Vdekja aksidentale e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) njëherit pjesëtar i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), Liman Musliu ka nxitur reagime të mëdha në vend. Këto reagime erdhen pasi i ndjeri humbi jetën aksidentalisht derisa sa po punonte në një objekt banesor në Prishtinë. Çka dihet?

Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e tij përmes raportit 24 orësh, ku ka bërë të ditur se ai ka vdekur derisa po punonte në një objekt banesor.

“ASGJËSIM, DËMTIM OSE HEQJE E PAISJEVE MBROJTËSE DHE RREZIKIM I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS Rr. Gucia, Prishtinë 09.11.2024-16:30. Raportohet se viktima mashkull kosovar ka qenë duke punuar në një objekt banesor. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion.” – thuhej në raportin e policisë.

Ndërkaq Zëdhënësi i Prokurorisë së Prishtinës, Skender Govor, ka konfirmuar se viktima ka rënë nga gati i 11-të.

“Dyshohet se një punëtor ka rënë prej katit të 11-të. Prokurori kujdestar dhe ai i Krimeve të Rënda kanë dalë në vendin e ngjarjes, prokurori e ka dhënë urdhrin për autopsi dhe ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML dhe i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet se bashku me zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes”– ka thënë Govori.

Në anën tjetër për vdekjen e tij ka reaguar edhe FSK-ja të cilët kanë shprehur ngushëllime për humbjen e Liman Musliut.

“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, nga jeta ndahet në poziten zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e FSK-së të lëshuar dje, më 10.11.2024.

Ndërkohë për këtë rast ka shkruar edhe gazetarë e politikanë të cilët kanë kritikuar Qeverinë Kurti për pagat e ulëta të ushtarëve, të cilat po detyrojnë ata që të punojnë edhe jashtë orarit të punës.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Qeveria ka dështuar dy hërë për këtë rast.

“Dështimi i parë: paga e ulët e ushtarit tonë që e detyroi atë të punojë punë tjetër shtesë. E dikujt që i gatshëm që jetën t’ia jap atdheut, e “dha” për mbijetesë. Dështimi i dytë: siguria në vend të punës, zero. Pagat e ndërtuesve, të tmerrshme. Rrezikshmëria tejet e lartë.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Edhe Sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi ka reaguar duke thënë se ky rast tregon që ushtarët nuk kanë paga të mira dhe duhet të punosh jashtë orarit të punës.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot. Kështu ka njoftuar vëllai i tij hoxha, Osman Musliu, i cili ka bërë të ditur se varrimi do të bëhet në ora 15:00 në fshatin Likoc

“Të dashur miq, shokë e dashamir, ju lajmërojmë se varrimi i vllaut tonë, Liman Selman Musliut do të mbahet nesër në ora 15:00 në fshatin Likoc, afër Shtabit të UÇK-së. Nisja e xhenazes do të bëhet prej Xhamisë së Drenasit në ora 14:30. Ju falënderoj përzemërsisht për vizitat, mesazhet e thirrjet e panumërta dhe ju kërkoj falje nëse skemi mundur të ua kthejmë. Zoti ju nderoftë!” – ka shkruar ai në Facebook.