Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vdekjet e fundit në komunikacion vlerësohen alarmante, kërkohet reagim

 
   

Është arrestuar dhe dërguar në mbajtje vozitësi i cili mbrëmë i goditi me veturë tre këmbësorë në Ozdrim të Pejës, dy prej të cilëve mbetën të vdekur në vend.

Vetëm të shtunën brenda pesë orëve, pesë persona humbën jetën në aksidente trafiku.

Kjo situatë, sipas ekspertëve të komunikacionit duhet të jetë alarm për institucionet, të cilat duhet të angazhojnë ekspertë për të gjetur shkaktarët dhe ndërmarrë masat parandaluese.

Sipas tyre ka shoferë që brenda vitit kanë shkaktuar 33 aksidente, dhe prapë vazhdojnë të vozisin nëpër rrugët e Kosovës.

Në aksidentin në fshatin Ozdrim të Pejës, vetëm njëri nga tre këmbësorët që u goditën nga një makinë, shpëtoi i gjallë.

Dy familjarë mbetën të vdekur në vend, ndërsa familjari tjetër rreth të 40-ve gjendet në trajtim mjekësor.

Shoferi që e shkaktoi aksidentin është kapur nga Policia.

“Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar, pasi që me veturë ka goditur tre këmbësorë meshkuj kosovarë. Si pasojë, dy këmbësorë kanë vdekur, ndërsa tjetri këmbësor është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thonë nga Policia e Kosovës.

Pothuajse në po këto minuta, dy persona të tjerë vdiqën po nga një aksident trafiku në Shajkov të Podujevës. Sipas Policisë aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia, ndërsa pamjet tregojnë se vetura kishte përfunduar në këtë pemë, e më pas jashtë rrugës.

Edhe këtu dy persona vdiqën në vend, ndërsa i treti është dërguar për mjekim.

Brenda pesë orëve vdiq edhe personi i pestë në komunikacion, në një aksident tjetër në Llapnasellë të Graçanicës. Përplasja e dy veturave la të lënduar dy vozitësit, por vdiq një grua pasagjere.

Edhe për këtë rast vozitësi i dyshuar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ekspertët e komunikacionit thonë se institucionet do të duhej të alarmoheshin nga vdekjet e shumta në komunikacion.

Nol Dedaj thekson se institucionet as që merren me gjetjen e shkaktarëve të vdekjeve me komunikacion.

“Institucionet tona duhet patjetër t’i krijojnë institucionet sikurse është Agjencia e sigurisë rrugore, pastaj të jenë edhe institucionet tjera të cilat për hulumtimin… Në qoftë se secila Qeveria që ka ardhur deri më tani nuk është marrë me sigurinë në komunikacion edhe kjo Qeveri vetëm sa ka shku duke e rëndu sigurinë e komunikacionit rrugor”, ka thënë Nol Dedaj, Ekspert i komunikacionit, raporton RTVD.

Përpos faktorëve rrugorë, sipas tij, duhet të ketë edhe fushatë të edukimit e po ashtu edhe ndëshkime meritore.

Dedaj ka vërejtje edhe për procesin e pajisjes me patentë-shoferë dhe për shoferët e pa-aftë për komunikacion.

“Secili aksident në qoftë se hulumtohet nga e një instituti profesional, atëherë aty identifikohen edhe problemet në rrugë. Identifikohet edhe ai drejtuesi i automjetit që nuk ka pasur njohur mbi sigurinë, të jap një shembull unë kam pasur një lëndë në dorë për kundërvajtje, 33 aksidente brenda një viti i ka pasur njëri, unë e kam pasur lëndën”, shtoi ai.

Dedaj thotë se rastet e tilla kur një vozitës i shkakton dhjetëra aksidente, atij duhet t’i ndalohet ngasja e makinës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovës, sipas disa organizatave, del se mbi 1000 persona kanë vdekur nga aksidentet në komunikacion.