Ish-deputeti i LDK-së dhe veprimtari i kësaj partie Fetah Rudi ka njoftuar se ka ndërruar jetë, Hajriz Kastrati, babai i gazetarit të gazetës “Bota sot”, Bekim Kastrati, i vrarë pas luftës në Kosovë.
Rudi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shprehur keqardhjen e tij për vdekjen e bacës Hajriz, ndërsa ka theksuar se ai vdiq ende pa u vendosur drejtësia për Bekimin.
“Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e bacit Hajriz, babait të gazetarit të vrarë pas lufte nga dora kriminale, Bekim Kastrati.
Ndjej dhimbje dhe pikëllim të madh, që baca Hajriz vdiq ende pa u vendosur drejtësia për Bekimin!
Bacen Hajriz do ta kujtojmë çdo here si burrin e urtë të Drenicës!
I shpreh ngushëllime gjithë familjes Kastrati, miqve, dhe gjithë atyre që e njohën bacën Hajriz! Zoti e bekoftë!”, shkruan Rudi në Facebook.
Ndryshe, gazetari Bekim Kastrati së bashku me truprojën e Presidentit Rugova, Besim Dajaku, u vranë në një pritë të organizuar në Skenderaj, më 19 tetor të vitit 2001.
Nnga e njëjta pritë mbeti i plagosur edhe ish deputeti Gani Geci.
Stafi i gazetës “Bota sot” i shpreh ngushëllime familjes Kastrati për vdekjen e bacës Hajriz.