Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Veliu godet Hysenin, Gashin dhe Abdixhikun, i quan ‘proces gueril’ zgjedhjet e LDK-së në Podujevë

 
   

Ditë më parë, delegatët e Kuvendit zgjedhor të Degës së LDK-së në Podujevë kanë zgjedhur Ekrem Hysenin kryetar të kësaj dege.

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryetari degës së kësaj partie në Podujevë, Agim Veliu, procesin e zgjedhjes së Hysenit e ka quajtur “manipulim”.

Veliu ka hedhur akuza në drejtim të Hysenit, e kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi, për ndikim në këtë proces.

Hysenin ka quajtur dr.manipulator, pasi sipas tij, Kryesia e anëtarët e saj, kishin dalë nga mbledhja e fundit pa u informuar se kur dhe ku do të niste procesi zgjedhor.

“Kronika e manipulimit të një procesi zgjedhor. Një proces i ngutshëm dhe jo transparent Kryetari i instaluar i LDK-së, “doku”, në mbledhjen e fundit të kryesisë së degës ua kishte bërë me dije anëtarëve të këtij organi se nuk i nevojiteshin në procesin e manipulimit të zgjedhjeve. Dr. manipulatori kishte suspenduar Kryesinë, e procesin zgjedhor ia kishte besuar grupit punues, në këtë rast, grupit të besueshëm manipulues. Do të informoheni, u kishte thënë onkologu që kishte përgatitur ekipin për ta zhvilluar deri në metastazë kancerin që e injektoi në degë nga laboratori i Lumirit”, ka thënë ai.

E sipas tij, pas mbledhjes ku u suspendua Kryesia, kishte nisur procesi i manipulimeve me kuvende nëndegësh, “me të ftuar specialë sipas listave të përpiluara nga grupi manipulues, kontrabandues i onkologut kancerogjen”.

Veliu e ka quajtur Gashin “i deleguar i Abdixhikut”, teksa ka thënë se e ka thirrur të telefon për t’i kërkuar proces transparent zgjedhor.

“Që ditën e parë të procesit manipulativ, kur u mbajt “kuvendi” i një nëndege pa u informuar anëtarësia e saj dhe duke u njoftuar se ky proces po monitorohej nga i deleguari i Lumirit, Xhafer Gashi, të njëjtin e kam kontaktuar përmes telefonit dhe i kam kërkuar që të përkujdesej për proces të rregullt e transparent zgjedhor. Një gjë të tillë ma premtoi edhe ai, por fjalën e mbajti derisa e mbyllëm bisedën”.

“Doli se Xhafa kishte ardhur ta bëjë të kundërtën, ta ndihmojë dr.manipulatorin dhe ekipin e tij që procesi të jetë sa më jo transparent dhe sa më klandestin”, u shpreh tutje.

Veliu ka publikuar edhe oraret që sipas tij do duhej të mbaheshin kuvendet, por që, siç ka thënë kryetari i zgjedhur, Ekrem Hyseni, nuk i ka informuar drejtë.

“Dr.manipulatori nuk publikoi orar të mbajtjes së kuvendeve sipas rregullave dhe praktikës së deritashme e as sipas modeleve të degëve të tjera (për ilustrim do t’ia bashkëngjis këtij teksti dëshmitë me orare të publikuara nga dy degë) as nuk i informoi kryetarët e nëndegëve se kur duhej të mbanin kuvendet”.

“Ekipi kontrabandues i dr. maipulatorit me monitor-manipuluesin Xhafer nuk duhej të publikonin orar takimesh, sepse kishin vendosur të zhvillojnë proces zgjedhor gueril. Për aksionet e tyre të pista anëtarësia dhe ndonjë kryetar nëndege merrnin vesh të nesërmen, ose pas dy tri ditësh, kur dikush nëpër kafehane do t’i pyeste “prej kur filani i LVV-së, PDK-së a AAK-së qenka bërë LDK e me shkue delegat në degë?”… Për guerilen e dr.manipulatorit nuk kishte rëndësi se cilit kamp politik i takonte, rëndësi kishte t’i bashkohej operacionit të skuadrës manipuluese-kontrabanduese “zgjedhore” në LDK”.

“Për dijeninë e anëtarësisë dhe simpatizanëve të LDK-së, që mbetën të përjashtuar nga procesi i rregullt zgjedhor në Llap, kaq për transparencën në procesin gueril të dr.manipulatorit dhe komandant Xhaferit.

“LDK-istët e Llapit ditëve në vazhdim do të informohen edhe për marifetet e tjera nga kuzhina e dr.manipulatorit me sejmenët e tij në misionin e defaktorizimit deri në zhbërje të LDK-së në bastionin e saj për hatër të Lumirit” tha Veliu.