Njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka folur lidhur me deklaratat e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se nuk është anëtar i LDK-së por vetëm partner i ngushtë.
Dikur njëri ndër figurat qendrorë të LDK-së, Veliu ka thënë për lajmi.net se nuk është fare i habitur me Ramën.
“Nuk e di çka ka këtu me u habitë, me u çuditë”, u shpreh Veliu duke qeshur me deklaratat e Ramës.
Veliu tutje tha se edhe ata që e sollën në LDK Ramën nuk kanë qenë anëtarë të LDK-së, por partner të partive tjera, duke iu referuar, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
“Me të thënë të drejtën për mua nuk ka asgjë për tu habitur sepse edhe ata që e kanë sjellë Përparimin nuk kanë qenë anëtarë të të LDK-së edhe kanë qenë partner të partive të tjera bile”, ka thënë Veliu.
Deputeti i LDK-së, në prononcim për lajmi.net nuk i ndali akuzat ndaj partisë së tij dhe udhëheqjen aktuale.
Ai tha se tani LDK-ja po drejtohet nga njerëz të çastit “gërvish dhe fito”, por që nuk dihet sa do ju zgjas.
“Fatkësia këtu për mua është që LDK-ja si partia më e vjetër në vend ka ardh në situatë që të drejtohet nga partner të çastit, “gërvisht dhe fito”, gjithmonë nëse ju dhezë, ndoshta ikin dhe e lënë ashtu”, përfundoi Veliu.