Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vendimet kontraverse të Agim Kuçit për Sekiraqën – Shpërfilli anëtarët e trupit gjykues

 
   

Vendimi i djeshëm i Këshillit Gjyqësor që suspendoi Agim Kuçin si gjyqtar që liroi Enver Sekiraqën nga masa e sigurisë, u konfirmua se ka pasur bazë.

Kryetarja e Gjykatës Themelore sot ka konfirmuar për Betimin për Drejtësi se gjykatësi Kuçi pa konsultim me dy anëtarët e trupit gjykues vendosi që Sekiraqa të mbrohet në liri.

Bile gjykatësja Albina Shabani – Rama ka bërë me dije se gjykatësi i suspenduar edhe të tjera herë kishte shpërfillur gjyqtarët, Medie Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni kur ia kishte ndryshuar masën Sekiraqes.

“Në bazë të aktvendimit të datës PKR.nr.170/2020 te dt. 03.05.2024, evidentohet që gjyqtari Kuqi e ka marrë vet si kryetar i trupit gjykues këtë aktvendim, ku edhe e ka cek në hyrje të aktvendimit “duke vendosur sipas detyrës zyrtare jashtë seancës” e nuk është nxjerrë aktvendimi në emër të trupit gjykues e jo siç e kërkon dispozita ligjore e nenit 366 të KPP-së. Ndërsa që aktgjykim burimor nuk ka pas në shkresa të lëndës që të vërtetohet se ka vepruar ndryshe.

Në seancën gjyqësore të datës 15.01.2024, pas propozimit të avokates se të pandehurit Sekiraqa për ndërprerje të masës së arrestit shtëpiak, në fund të këtij procesverbali mund të shihni se trupi gjykues e ka refuzuar propozimin e avokates, ndërsa që me datë 09.02.2024, si Kryetar i trupit gjykues merr aktvendim i vetëm për ndërrim të masës së arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes ne stacion policor edhe pse nuk e ka pas aprovimin e trupit gjykues”, ka thënë Shabani-Rama.

Enver Sekiraqa, i dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes, sipas avokatit të tij e ka lëshuar Kosovën, sa ishte i lirë bazuar në këtë vendim por të mërkurën asnjë institucion, përfshirë Ministrinë që e udhëheq Xhelal Sveçla e cila menaxhon kufijtë.

Kryeministri Kurti por edhe ministrat e qeverisë kanë kritikuar gjyqësorin që e kanë liruar Enver Sekiraqën, dhe kanë mundësuar arratisjen e tij, por avokati i tij Besnik Berisha ka deklaruar se ai është larguar nga Kosova ligjërisht nga pikat kufitare të vendit, megjithatë MPB nuk kanë kthyer përgjigje nëse është identifikuar se nga cila pikë kufitare ka kaluar i njëjti.

Dukagjini ka pyetur Policinë e Kosovës nëse tashmë ka bërë kërkesë në Gjykatë për urdhërarrest ndërkombëtarë për Sekiraqën, por ata nuk janë përgjigjur.

Ministria e Drejtësisë i ka thënë televizionit se ata mund të kërkojnë një gjë të tillë nga Interpoli vetëm kur të ketë një vendim nga gjykata e Policia.

Por, krejt lehtësisht Kosovën mund ta ketë braktisur Sekiraqa po thotë ish-zëvendësministri i brendshëm, Valdet Hoxha.

“Kur ndaj të pandehurit nuk caktohet asnjë masë e sigurisë, pra lehet që i njëjti të mbrohet në liri, ai është i barabartë me çdo qytetar tjetër i këtij vendi dhe nuk mund të cenohet liria e lëvizjes së tij, qoftë brenda apo jashtë shtetit, se a evidentohet në pikat kufitare kjo varet prej kontrollit nga mekanizmat kufitare dhe psh nga marrëveshjet mes shteteve siç është rasti për pikën kufitare në Morinë gjatë sezonit të verës”, ka deklaruar ai.

Vendimin e veçantë që gjykatësi Kuçi e kishte nxjerr jashtë seancës me 3 maj për ta lënë të lirë Sekiraqën, e kishte arsyetuar me faktin se ka përfunduar procedura ndaj tij, ani se i njëjti u dënua me burgim dhe se vendimi nuk ishte i plotfuqishëm.

“Gjykata tani ka vlerësuar se kanë pushuar të gjitha shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit dhe masa e arrestit shtëpiak, ngase i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar dhe ndaj të njëjtit është bërë shpallja e aktgjykimit, andaj të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, ashtu që Gjykata urdhëron që i njëjti të mbrohet në liri”, thuhej në aktvendimin e Kuçit.