Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vendimi i Kurtit për pronën e Manastirit të Deçanit, Ramosaj nuk e komenton: Jam duke vozitur

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti i cili e urdhëroi Agjencionin Kadastral të Kosovës që t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit.

I kontaktuar nga Gazeta Express, Ramosaj e ka hapur telefonin dhe ende pa iu parashtruar pyetja, ka thënë se nuk mund të flasë meqë është duke vozitur.

“Për momentin nuk mundem me fol se jam tu vozit”, ka thënë Ramosaj, derisa pasi i është kërkuar që shkurtimisht ta komentojë urdhrin e Qeverisë, e ka ndalur telefonin.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar sot në mbledhjen e Qeverisë se i ka kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit.

Tha se kjo po bëhet për të arritur një qëllim shumë më madhor, duke aluduar për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti në të kaluarën ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm që këto prona t’i jepen Manastirit.

Kjo çështje është riaktualizuar nga shtetet e QUINT’it gjatë qeverisjes së Kurtit sidomos pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Javën që shkoi Qeveria sinjalizoi se është pajtuar që këto prona t’i kalojnë Manastirit të Decanit pasi ky është një kusht që Kosova të bëjë hapin e radhës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sido që të jetë, dhënia e pronës nuk pritet ta përfundojë çështjen e anëtarësimit në këtë organizatë pasi edhe vetë qeveritarët presin që anëtarësimi përfundimtar të kushtëzohet edhe me cështje tjera.

Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuzuar në vazhdimësi ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, me arsyetimin se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.

Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar.

Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të vitit 2022, ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.