Vendosja e kamerave nëpër vendvotime, më 21 prill – kur në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do të votohet për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë – është sikur të ndryshosh rregullat para fillimit të lojës.
Kështu e sheh Alleksandar Rapajiq nga Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ) për vendosjen e masave të reja për vëzhgimin e proceseve zgjedhore.
Ndërkaq, Emir Abrashi nga organizata joqeveritare Demokracia Plus, thotë se përdorimi i kamerave në vendvotime është një zhvillim pozitiv, sepse rrit transparencën e procesit të votimit, minimizon incidentet dhe zvogëlon mundësinë e manipulimeve.
Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike dhe Demokracia Plus, janë pjesë e Demokracisë në Veprim, koalicion i organizatave joqeveritare që monitorojnë zgjedhjet në Kosovë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka njoftuar më 11 prill se kamerat nuk do të vendosen vetëm gjatë votimit të 21 prillit, por kjo do të jetë praktikë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore.
Qëllimi i kësaj mase të re, siç thotë KQZ-ja, është shmangia e parregullsive të mundshme gjatë procesit zgjedhor, si dhe konstatimi i tyre. KQZ-ja pretendon se vendosja e kamerave në asnjë mënyrë nuk e cenon fshehtësinë e votës.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, këshilloi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që “të shmangë qasjet inovative, siç është përdorimi i kamerave në vendvotime”.
“Risia e tillë, siç është instalimi i kamerave në vendvotime, kërkon shqyrtim dhe konsultim të plotë, në këtë rast duke përfshirë votuesit, palët e interesuara dhe shoqërinë civile”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së për Radion Evropa e Lirë (REL).
Votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviqit, Zveçan dhe Zubin Potok – do të mbahet më 21 prill, duke u bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës.
Aktualisht, në këto komuna janë në pushtet kryetarët shqiptarë, të cilat i kanë fituar zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill të vitit 2023. Kjo çështje ngriti tensione në vitin 2023, të cilat nxitën bashkësinë ndërkombëtare të insistojë për shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.
Megjithatë, tani është e diskutueshme nëse votimi i ardhshëm për zëvendësimin e kryetarëve do të jetë i suksesshëm, për shkak se partia më e madhe e serbëve në Kosovë – Lista Serbe – ka vendosur të tërhiqet nga i gjithë procesi, ndonëse më parë e ka mbështetur atë.
Një nga arsyet e një vendimi të tillë është pikërisht vendosja e kamerave në vendvotime.
Çfarë thonë nga KQZ-ja?
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se vendosja e kamerave në vendvotime parashikohet me aktet nënligjore të atij institucioni, me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore, ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit të votave në vendvotim.
Ai shtoi se praktika e vendosjes së kamerave brenda vendvotimeve po futet, pasi gjatë procesit zgjedhor nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë konstatuar parregullsi që kanë cenuar integritetin dhe besimin e publikut në zgjedhje.
“Sipas procedurës së miratuar nga KQZ-ja, është me rëndësi të sqarojmë se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër prej ku do të jenë kabinat e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënimin e preferencës nga ana e votuesit”, tha Elezi.
Ai theksoi se materiali nga ato kamera do të ruhet përkohësisht, përkatësisht do të asgjësohet në afat prej 60 ditësh nga dita e konfirmimit të rezultateve zgjedhore.
Kush do të ketë qasje te kamerat?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se qasja në video-incizime mund të sigurohet vetëm me vendim ose kërkesë të autoriteteve të zbatimit të ligjit: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurorisë ose gjykatave.
Gjithashtu, KQZ-ja ka theksuar se nuk do t’i monitorojë kamerat ditën e votimit.
Por, Alleksandar Rapajiq nga Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike, thotë se ka ende shumë dyshime se nga ku do të monitorohen kamerat: nga mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo nga ato të Komisionit Komunal Zgjedhor.
Ai thekson se qytetarëve nuk u është sqaruar se pse dhe për çfarë qëllimi do të shërbejnë ato kamera dhe konsideron se kjo mund të shkaktojë dalje më të ulët në zgjedhje.
Shoqëria civile me qëndrime të ndryshme
Rapajiq thotë se vendosja e kamerave në vendvotime nuk është problematike përderisa nuk rrezikohet procesi zgjedhor. Ai thekson se një gjë e tillë është praktikë në shumë vende të botës.
Por, sipas tij, problemi qëndron në atë se kjo masë e re po futet për herë të parë në një “moment specifik” gjatë votimit në veri të Kosovës.
“Po të kishte pasur vullnet të mirë, kjo (vendosja e kamerave) është dashur të lihej për zgjedhje më të mëdha, për zgjedhjet qendrore, apo për zgjedhjet lokale në vitin e ardhshëm. Kur vendoset një gjë e re si kjo, do të duhej t’u jepej më shumë kohë qytetarëve, sikurse edhe neve nga sektori civil, të na sqarohet se për çfarë shërbejnë kamerat”, thotë ai.
Megjithatë, Emir Abrashi nga Demokracia Plus, thekson se vendosja e kamerave në vendvotime është pjesë e reformës zgjedhore dhe se kjo praktikë në asnjë mënyrë nuk orientohet vetëm ndaj komunitetit serb.
“Me ndryshimet ligjore është parashikuar, gjithashtu, që tani e tutje në qendrat e votimit do të bëhet vetëm numërimi i votave për partitë/subjektet politike, ndërsa numërimi i votave për kandidatët do të bëhet në komisionet komunale zgjedhore. Prandaj, prania e video-vëzhgimit, në këtë kuptim, është mënyrë për të siguruar një proces të sigurt”, thekson Abrashi për Radion Evropa e Lirë.
Ai beson se përdorimi i vëzhgimit me video, në votimet e 21 prillit, është një test që do të tregojë se sa e suksesshme është kjo praktikë.
Abrashi thekson se është jashtëzakonisht e rëndësishme që KQZ-ja të nisë një fushatë për të informuar votuesit për praktikën e zakonshme në procesin zgjedhor.
Të metat dhe përparësitë e kamerave në qendrat e votimit
Nga misioni i OSBE-së kanë thënë për REL-in se në vendet anëtare të kësaj organizate nuk është e përhapur praktika e përdorimit të kamerave në qendrat e votimit.
Sipas të dhënave që gjenden në faqen e portalit të specializuar “ACE Electoral Knowledge Network” (Rrjeti i njohurive zgjedhore), i cili mbledh njohuri dhe përvojë për proceset zgjedhore në mbarë botën, deri më tani kamerat, gjatë proceseve zgjedhore, janë përdorur nga Rusia, Ukraina, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Sierra Leone, Kolumbia dhe Shqipëria.
Ky portal, i cili synon të inkurajojë integritetin zgjedhor dhe të promovojë procese zgjedhore të besueshme, të qëndrueshme, profesionale dhe gjithëpërfshirëse në mbarë botën, thekson se disa nga përfitimet e përdorimit të kamerave lidhen me numërimin e votave, digjitalizimin e listave zgjedhore dhe parandalimin e praktikës së blerjes dhe shitjes së votave.Gjithashtu, sipas vlerësimit të portalit, kamerat në vendvotime mund të parandalojnë persekutimin politik, por edhe të shërbejnë si kamera sigurie.
Nga ana tjetër, një ndër të metat e vendosjes së kamerave është mundësia e uljes së besimit të votuesve, nëse ata mendojnë se fshehtësia e votimit është kërcënuar.
“Kamerat përdoren më shpesh gjatë vetë procesit të votimit dhe jo aq gjatë numërimit të votave. Ndonjëherë përdorimi i parregulluar i kamerave paraqet rrezikim shtesë të fshehtësisë së votimit dhe frikëson votuesit”, thuhet në faqen e portalit të specializuar “Electoral Knowledge Network”.
Gjithashtu, theksohet se në disa vende qasja në regjistrimet e kamerave nuk u sigurohet të gjitha palëve të interesuara dhe shtojnë se vëzhguesit kanë shprehur shqetësimin se qeveritë në ndonjë vend, mund t’i përdorin regjistrimet për të identifikuar se cilët vëzhgues ishin në qendra të caktuara votimi, në mënyrë që t’i dënojnë për raportimin e parregullsive./REL