I ftuari i radhës në emisionin “Fakte me Adnan Merovcin” në Klan Kosova ka qenë veprimtari i njohur Xhafer Murtezaj, i cili në pjesë e parë të rrëfimit të tij kryesisht foli për Drenicën e njerëzit e rëndësishëm të kësaj komune.
Në mesin e këtyre figurave kyçe të kohës së artë të dekadës së çlirimit të Kosovës 1989-1990, nuk kishte se si të mungonte rrëfimi me detaje për familjen heroike Jashari.
Teksa fliste për protestat e përgjakshme të 1989, ai përmendi edhe djalin e Rifat Jasharit, Muratin i cili sipas tij ishte malltretuar nga policia pasi i njëjti iu bashkua numrit të madh të protestuesve të asaj kohe.
“Dikujt iu doket e pabesueshme por përveç të gjitha anëve, edhe ne prej Drenicës së bashku me 3000 nxënës, me profesorë e me të gjithë jemi nisë në këmbë prej Skenderajt e deri në Prishtinë, diku 50 kilometra”.
“Ishte ai tubimi masiv aty, reagimet kanë qenë të hatashme ndaj atij ndryshimi që e bëmë. Mandej, filluam t’i organizonim protestat edhe nëpër shkolla. Në mesin e nxënësve tonë ishte edhe Murat Jashari, nxënësi ynë, djali i Rifatit, edhe ai del [në protestë] ku Policia e malltreton. Disa i kanë marr e i kanë dërgu në burg”, u shpreh ndër tjera Murtezaj.