Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Veseli: Prokuroria të sqarojë nëse pati atentat apo jo ndaj Kurtit

 
   

Afrim Veseli, ish-kolonel i FSK-së, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të dalë me një sqarim dhe të tregojë nëse ka pasur apo jo atentat ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Ai e konsideron shqetësuese, kërcënimin i cili pretendohet t’i jetë bërë kreut të ekzekutivit, Albin Kurtit.

“Rrezikimi i jetës së cilitdo qytetarë është shqetësim në vete, por kur kërcënim vjen për kryeministrin e vendit, është shumë shqetësues. Nëse është si i tillë, i vërtetë, atëherë duhet të ndihemi të shqetësuar të gjithë qytetarët e vendit.  Është interesant që prokuroria e shtetit që e ka për detyrë ta hetojë, nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë. Nëse është i vërtetë ky kërcënim ndaj kryeministrit duhet të ndihemi të shqetësuar të gjithë, por nëse është përdorur për diçka tjetër dhe nuk është i vërtetë atëherë është sërish shqetësim i madh dhe më gjera të tilla nuk duhet të luajmë. Kisha kërkuar nga prokurori i shtetit që të dalë me një deklaratë dhe ta njoftojë publikun që ka pasur apo jo, nëse ka pasur të tregojë që janë rritur masat e sigurisë për kryeministrin…”.

“Cila është e vërteta e gjithë kësaj në ditët në vazhdim, do të doja të dëgjoja prokurorin e shtetit por edhe kryeministrin se nëse është abuzim ky lajm atëherë kjo është vepër penale…”, u shpreh ai.

Edhe për Ismet Ibishin – ish ushtarak i UÇK-së, paralajmërimet e tilla konsiderohen të jetë mjaft shqetësuese.

“Paralajmërime të tilla ka pasur që në fillim të mandatit të kryeministrit Kurti, çdoherë duhet pasur parasysh edhe atë rrezikshmëri, në asnjë rast nuk duhet lënë anash çështjen e sigurisë të personaliteteve tona. E dimë që një regjim i Serbisë … të njëjtat qëllime i kanë që të destabilizojnë çështjen dhe sigurinë në Kosovë. Mënyra më shqetësuese është kur personalitetet e shtetit rrezikohen”, u shpreh ai.

Ndryshe, Kurti ka thënë se pa shumë forca policore gjatë vizitës në Shkup, ndërsa televizioni publik në Kosovë raportoi paraprakisht se masat e rrepta të sigurisë u ndërmorën, pas informacioneve se po planifikohej një atentat ndaj tij.

Kurti nuk e mohoi se ka pasur përpjekje për atentat, teksa tha se ka vazhdimisht kërcënime nga Beogradi, por theksoi se nuk ndihet i rrezikuar.

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë kryeministri Kurti.

Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK), ka raportuar duke u thirrur në burime brenda institucioneve të sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit, “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.