Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë vendim për ndarjen e 40 milionë eurove për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Me këtë ndarje buxhetore për mbrojtjen e ka kaluar shumën e 200 milionë eurove apo mbi 2 për qind të bruto produktit vendor.
I ftuar në emisionin “Five”, për të diskutuar rreth kësaj çështjeje ishte koloneli në pension, Afrim Veseli i cili tha se ky vendim është lajm tejet pozitiv për FSK-në dhe për vendin.
Sipas tij nëse vazhdohet me këtë trend mund të zvogëlohet plani tranzitor për FSK-në.
“Lajm i mrekullueshëm për fundvit, për FSK-në për popullin, rritja e përqindjes mbi 2% është e shkëlqyeshme për mundësitë buxhetore që i ka vendi. Uroj që të vazhdohet të mos e shikoj përqindjen, jemi në fillim të formimit adekuat të ushtrisë, të zvogëlohet plani tranzitor për 10 vite të shkurtohet sa më shumë”, tha ai.
Ai tha se Kosova duhet të punoj më shumë politikisht në mënyrë që të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe.
“Standardi i NATO-së është 2% i GDP-së i një shteti, ne jemi në fillim nëse ka mundësi buxhetore shteti mund ta rris. Kjo e përafron Kosovën në kriteret për anëtarësim në NATO, duhet të punohet politikisht më shumë që Kosova ta nënshkruar partneritetin për paqe, kjo e përafron te dyert e anëtarësimin në NATO”, tha ai.
Veseli u shpreh se shtimi i buxhetit për FSK-në do të shërbejë në blerje të armatimit për ta mbrojtur territorin e vendit dhe jo për ta sulmuar ndonjë vend.
“Shpresoj që në planifikimet e FSK-së, pjesa dërrmuese e mjeteve do të shkojnë në blerje të armatimit, këto armë blihen për mbrojtjen e territorit, shtetit. Në aspektin politik askush nuk duhet të frikësohet për blerjen e armëve, sepse Kosova i blen nga NATO, nga partnerët e saj dhe vlen për mbrojtjen e territorit dhe jo për agresion që bëjnë disa shtete sidomos fqinji verior”, tha ai.